Kryeministri i Kosovës Albin Kurti mendoi se po merrte urime për fitoren në zgjedhje nga Presidenti i Letonisë Edgars Rinkēvičs, por në fakt, në anën tjetër të video-telefonatës ishin dy komedianët rusë Vovan dhe Leksus, të njohur për shaka të tilla.

Në bisedën 11-minutëshe të publikuar në kanalin e tyre, Kurti flet pa e kuptuar rrengun, duke akuzuar Moskën dhe Beogradin për sulme hibride, duke shigjetuar opozitën, por edhe mediat në Kosovë. Ankohet edhe për diplomatin amerikan Richard Grenell.

“Gjithë këto 4 vite ishte kundër meje. Ai ishte themelor në rrëzimin e qeverisë time të parë. Në 2020-ën, ishte qeveria ime e vetmja që u rrëzua gjatë pandemisë. Tani është rreshtuar me opozitën. Ai ka marrë një çmim të lartë në Beograd, të klasit të parë. Nuk është normale të marrësh një çmim të tillë në një vend autoritar dhe të pretendosh të jesh neutral. Tani ka një punë të re në Institutin Kenedi, ku ka të bëjë me vlerat e SHBA-së, kundër LGBT… Ai është edhe vetë homoseksual…”, shprehet Kurti.

“Ju e dini që edhe unë jam homoseksual”, thotë komediani rusë.

“Jo nuk e dija”, thekson Kurti.

Bisedën e ka konfirmuar edhe zyra e kryeministrit të Kosovës që sqaron se ka ndodhur në 11 Shkurt, 2 ditë pas zgjedhjeve dhe se për shkak të momentit, jo gjithmonë ishte e mundur të kryheshin verifikimet për çdo telefonatë.

Ndërsa kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku ka ironizuar në këtë mënyrë në rrjetet sociale.

Tv Klan