Kurti: Çfarë i kam thënë në sy Richard Grenell-it

Kurti: Çfarë i kam thënë në sy Richard Grenell-it

23:11 27/03/2020

Grenell: Para zgjedhjeve Kurti më tha që do ta heqë taksën

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se nuk i ka thënë asnjëherë ambasadorit Richard Grenell që do ta heqë tarifën pa reciprocitet.

Kurti thotë se është takuar gjithsej dy herë me Grenell dhe në takime ka qenë i shoqëruar me persona të tjerë.

“Me ambasadorin amerikan në Berlin, z. Richard Grenell, jam takuar dy herë. Takimi i parë ishte më 9 tetor 2019, në ora 13:45, në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë. Takimi i dytë ishte më 23 janar 2020, në ora 10:30, në selinë qendrore të LVV. Në takimin e parë me mua ishte z. Glauk Konjufca. Në takimin e dytë me mua ishin z. Glauk Konjufca dhe znj. Fitore Pacolli-Dalipi. Të dy herët, z. Grenell e kam shikuar në sy. Por, asnjëherë nuk i kam thënë që do ta heqim tarifën 100% pa reciprocitet”, thotë Kurti.

Por në një reagim më herët për mediat kosovare, i dërguari i posaçëm i SHBA-ve për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës është shprehur se Kurti i është zotuar para zgjedhjeve dhe ia ka thënë në sy që do të heqë taksën 100%.

“Ai më shikoi në sy dhe tha se ata do ta largojnë taksën”, ka thënë Grenell për një intervistë në televizionin T7.

Kurti përshëndeti edhe reagimin e përfaqësuesve të SHBA-ve që thonë se “nuk ka asnjë plan sekret për shkëmbime territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Është për t’u përshëndetur dhe inkurajues deklarimi i qartë i sotëm i Ambasadorit Grenell kundër planeve për shkëmbim territorial”, shkruan Kurti.

Të mërkurën, parlamenti i Kosovës votoi mocionin e mosbesimit kundër qeverisë Kurti. Mocioni u inicua nga Lidhja Demokratike e Kosovës, partneri i koalicionit, pasi Kurti shkarkoi ministrin e Brendshëm Agim Veliu./tvklan.al

Të ngjashme

Grupi

Kallezo