Kryeministri Albin Kurti në fjalën në Kuvend ku i ftuar ishte ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, ka thënë se Italia përveçse një shtet mik i Kosovës, është edhe shtet shembull se si duhet ecur përpara.

“Mik i mirëpritur dhe i respektuar, partner kaq i rëndësishëm për Kosovën. Italia është ndër vendet e para që ka njohur Kosovën, vetëm katër ditë pas shpalljes së pavarësisë sonë. Ajo vuri në dispozicion territorin e saj. I mbaj mend aeroplanët që ngriheshin nga Aviano duke ndihmuar çlirimin e vendit tonë që bartej nga populli dhe UÇK-ja duke ndalaur gjenocidin serb që synonte shfarosjen e shqiptarëve”.

Kurti ka lavdëruar ndikimin e Italisë në kulturën europiane, duke thënë se është burim i pashterrshëm vlerash që Kosova duhet të mësojë nga to.

Po ashtu, Kurti tha se Italia dëshmon respekt të veçantë ndaj punëtorëve përderisa në nenin e parë të Kushtetutës së Italisë thuhet se “Italia është republikë demokratike e themeluar mbi punën”.

“Respekti për punën është një ndër ato vlera që ne duam të mësojmë dhe zbatojmë. Qeveria e Kosovës ka vendosmëri për të ecur përpara pikërisht përmes punës”.

Kurti para ministrit italian citoi edhe piktorin e famshëm italian Leonardo da Vinci.

“Tash për ne është koha që të dish nuk mjafton, duhet të bëjmë. Të kesh vullnet nuk mjafton, duhet të veprojmë”. Qeveria jonë e ka mandatin për të bërë e vepruar duke kërkuar bashkëpunimin dhe ndihmën e miqve”./klankosova