Dy liderët takohen më 19 Korrik për dialogun Kosovë-Serbi

Të hënën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të zhvillojnë takimin e dytë në Bruksel, pas atij të 15 Qershorit.

Takimi mes liderit të Kosovës dhe Serbisë do të zhvillohen në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano shprehet se diskutimet e këtij takimi do të përqendrohen mbi përparimin e deritashëm dhe hapat e mëtejshëm të bisedimeve.

Në takimin e realizuar në muajin Qershor, Presidenti serb kërkoi që Kosova të përmbushë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, teksa nga ana tjetër kryeministri Kurti tha se Kosova nuk mund të lejojë përsëritjen e skenarit të Bosnje dhe Hercegovinës dhe në vend të asociacionit propozoi krijimin e Këshillit Kombëtar për serbët e Kosovës.

Kurti tha pas takimit të muajit të kaluar se bëri katër propozime, ku përfshihej firmosja e një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë. Propozimet e Kurtit u refuzuan nga Vuçiç i cili tha se kryeministri i Kosovës nuk hynë në bisedime për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Klan News