Kurti dhe Vuçiç takohen sot në Bruksel


Kurti dhe Vuçiç takohen sot në Bruksel

08:12 19/07/2021

Palët, dallime për vijimin e dialogut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të takohen sërish sot në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Palët fillimisht zhvilluan takime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe më pas do të ketë një takim trepalësh. I dërguari i posaçëm Lajçak publikoi disa foto nga këto takime i cili gjithashtu bëri të ditur se ato shërbyen për të përgatitur takimin e nivelit të lartë që do të mbahet pasdite.

Ky do të jetë takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiçit. Takimi i parë mes tyre u zhvillua më 15 Qershor, çka shënoi edhe rifillimin e dialogut të ndërprerë në 2020. Takimi i parë tregoi se palët kishin dallime të mëdha, megjithatë të dy zyrtarët u pajtuan që të vazhdojnë takimet.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se bisedimet midis Kurtit dhe Vuçiçit do të përqendrohen në përparimin e arritur si dhe për hapat e mëtejmë në procesin e dialogut.

Për takimin reagoi edhe Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian. Josep Borrell tha se pret që Kosova dhe Serbia t’i qasen në mënyrë konstruktive dhe pragmatike raundit të ri të dialogut, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Beogradi zyrtar insiston që Prishtina të zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Ndërkaq, Prishtina zyrtare ka theksuar se një numër i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, nuk po zbatohen si duhet nga Beogradi. Kosova, në këtë drejtim, veçmas ka përmendur marrëveshjen për kontrollin e kufirit, atë për njohjen e diplomave, për certifikatat e mallrave, lirinë e lëvizjes si dhe marrëveshjen për fusnotën.

Tv Klan






Të ngjashme