Kurti: Diaspora ka kontribuar aktivisht në ekonominë e Kosovës dhe Shqipërisë



Kurti: Diaspora ka kontribuar aktivisht në ekonominë e Kosovës dhe Shqipërisë

08:50 12/04/2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shqiptarët në Itali janë një faktor përcaktues për marrëdhëniet e Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se të shtunën kishte një takim virtual me shqiptarët që jetojnë në Itali, ku pjesëmarrës të takimit ishin edhe kandidatët për deputetë në Shqipëri të mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje, Boiken Abazi, Iliaz Shehu dhe Kreshnik Merxhani.

“Komuniteti shqiptar në Itali, i cili është i madh e i integruar, përkujton këtë vit 30 vjetorin e eksodit të madh prej Shqipërisë, drejt brigjeve të Pulias në Itali. Kjo përkon me fillimin e tranzicionit shqiptar i cili tashmë është bërë sistemik dhe duhet të kryhet. Por forcat e politikat që përfitojnë nga tranzicioni, nuk mund ta përfundojnë atë”.

“Shqiptarët në Itali janë një faktor përcaktues për marrëdhëniet e dy vendeve. Si qeveri e Kosovës bashkë me LVV në Kosovë dhe Shqipëri, angazhohemi së bashku që mërgata ta ketë përkrahjen që meriton, për të rritur edhe më tej kontributin e saj jetik për zhvillimin e kombit tonë. Për këtë arsye bashkë me Boikenin, Iliazin dhe Kreshnikun zhvilluam këtë takim për t’u njohur më mirë me nevojat e komunitetit tonë në Itali i cili përbëhet prej më shumë se gjysmë milioni personash. Shqiptarët e Italisë pretendojnë me të drejtë një rol më aktiv në politikëbërje”.

Kurti ka deklaruar se me qeverinë e re të Kosovës dhe me LVV-në në Shqipëri takime të tilla virtuale do të mbahen edhe më shumë.

“Po ashtu diskutuam mbi nevojën e hartimit të strategjive të përbashkëta mbi parandalimin e ikjes së të rinjve, thithjes së kapitalit human, njohjen e kontributeve shoqërore, vlerësimit të trashëgimisë kulturore në funksion të rritjes ekonomike si dhe rolit të arsimimit dhe gruas në shoqëri”.

“Ky qe një hap i rëndësishëm dhe gjithëpërfshirës, që dëshmon se si vullneti ndryshon rrethanat e që na sheh edhe njëherë të bashkuar përtej kufijve të imponuar. Me qeverinë e re në Prishtinë e me ngritjen e Lëvizjes në Shqipëri, këso takimesh do të shndërrohen në praktika të zakonshme për të afruar dhe mobilizuar edhe më tej bashkëkombasit tanë jashtë vendlindjes”, ka shkruar Kurti./klankosova







Të ngjashme