Kurti: Kuptimi i mosbesimit ishte porosi e Grenell

Pas rënies së qeverisë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se pa humbur kohë do të nis konsultimet me partitë politike parlamentare për të shikuar mundësinë e krijimit  të qeverisë së re siç e ka quajtur ai, të stabilitetit, unitetit dhe gjithëpërfshirjes.

“Në çdo hap timin si President i Kosovës do ta respektoj në plotësi Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, tha Thaçi. 

Derisa rënie të domosdoshme për ngritje të nevojshme e ka cilësuar kryeministri në detyrë Albin Kurti shkarkimin e mbrëmshëm të qeverisë së tij nga deputetët e Kuvendit të Kosovës me kërkesë të partnerit të koalicionit qeverisës, LDK. Në një status në Facebook ai ka shkruar se pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet qeverisja si përmbajtje.

“Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia e ambasadorit Grenell. Në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka thënë se do të vazhdojnë si qeveri në detyrë të luftojnë bashkë pandeminë COVID-19. Derisa veprimi i parë që bëri mbrëmë Kurti menjëherë pas votimit të mocionit të mosbesimit, ishte shkarkimi i zv/kryeministrit në detyrë Abdullah Hoti, i cili është nga radhët e LDK-së. Në vendimin e shkarkimit nuk kishte ndonjë arsye të specifikuar nga Kurti.

Menjëherë ka reaguar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa. Nëpërmjet një statusi në Facebook ai ka thënë se në kohën kur po ballafaqohemi me Pandeminë e COVID-19, LDK nuk do t’i tërheqë njëanshëm ministrat dhe zv.ministrat e saj nga detyrat e tyre në qeveri. Sipas tij pas rënies së koalicionit mbetet në vullnetin e kryeministrit në detyrë se a do të vazhdojë të punojë me ta.

Por zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu ka thënë për TV Klan se Kurti do të vazhdojë bashkëpunimin me ministrat në detyrë të LDK-së dhe se ka bashkëpunim të mirë me ta, derisa tha se nuk ka përgjigje kur u pyet për arsyen e shkarkimit të zv/kryeministrit në detyrë Hoti.

Ndërkohë ka reaguar zëdhënësja e Komisionit Evropian Ana Pisonero e cila ka shkruar se votimi i mocionit të mosbesimit për qeverinë e vendos Kosovën në një situatë të vështirë politike, në një situatë të paprecedentë të shkaktuar nga koronavirusi.

Tv Klan