Kryetari i AAK: Kryeministri po dorëzon rajonin verior, shteti është dobësuar

Kryetari i AAK Ramush Haradinaj akuzon Kryeministrin Kurti se me dy aksione policore në veri të vendit ka dobësuar shtetin kosovar në Veri. Sipas tij kreu i qeverisë po gabon qëllimisht për të dorëzuar rajonin verior.

Ramush Haradinaj: Pas dy herëve që ka operuar Kosova në veri me policinë e vet, të dyja herët kemi dalë më të dobët. Herën e aprë na është mbajtur policia peng në pikat doganore dhe një polic i sëmurë nuk mundi të shkonte në spital e këtë e dinë mirë të gjithë, dhe njëkohësisht herën e dytë policia jonë ka arritur mjaftueshëm të jetë në konflikt me grupe kriminale.

Albin Kurti: Veriu ka qenë i rrezikuar atëherë kur deputeti Haradinaj e priste në zyrë kriminelin Milan Radojçiç, atëherë ka qenë veriu i rrezikuar. Rreziku ka qenë nga marrëveshjet xhentëlmene me kriminelë. Nuk e rrezikon veriun policia, veriun e rrezikojnë kriminelët dhe bashkëpunimi i tyre me politikanë të të gjitha ngjyrave dhe përkatësive.

Ramush Haradinaj: Unë frikën e kam te ti, Kryeministër, që ti qëllimshëm i ke ndërmarrë dy veprime për të dorëzuar veriun. Këtë po them, unë besoj që ky skenar i yti për të ndërmarrë dy veprime, për ta lënë më pas bosh që të forcohen kriminelët dhe e ke bërë me qëllim.

Albin Kurti: Nuk keni nevojë të më frikësoheni mua, nuk dorëzohet veriu, por mos ngjallni dilema te polici kur të shkojë herën e ardhshme në veri se kushedi pse të ka çuar Albini atje. Kjo është e dëmshme dhe këtë s’jua ka borxh askush.

Pak ditë më parë në veri u zhvillua aksioni antikontrabandë ku policia u përlas me qytetarët serbë. Tensione pati edhe pas vendimit të qeverisë Kurti për reciprocitetin kur u bllokuan pikat kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut. Në zonë patrulluan edhe forcat e KFOR-it që u larguan nga veriu të dilën pasi gjendja u qetësua.

Klan News