“1 Shtatori ditë normale, zbatohet reciprociteti”

Bisedimet në Bruksel me presidentin Serb Aleksandar Vuçiç më 18 Gusht do të zhvillohen në dy çështje, duke mos pasur në fokus vendimin për reciprocitetin.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për BBC në gjuhën serbe.

 “E para është takimi i liderëve ku do të kemi dy pika: elementet e kornizës së përgjithshme të marrëveshjes dhe çështjet aktuale dhe besoj se do të vazhdojmë në atë mënyrë. Këto dy pika janë shumë të përgjithshme”

Por Kurti nuk e mohon që vendimi për reciprocitetin të jetë mbi tryezën e diskutimeve në kontekstin e çështjeve aktuale, edhe pse pretendon se 1 Shtatori do të jetë një ditë normale, duke nënkuptuar mos tërheqje.

“I kam thënë presidentit serb, Aleksandar Vuçiç pranoji dokumentet, më tha jo se kështu e pranoj pavarësinë e Kosovës. Edhe pse kjo nuk është e vërtetë, pasi edhe Rumania, Sllovakia, Qipro nuk e njohin pavarësinë, por dokumentet e Kosovës, po”.

Sipas Kurtit, Beogradi është i frikësuar se serbët në Kosovë po e pranojnë realitetin. Zyrtarë serbë në vazhdimësi kanë thënë se këto vendime të Kosovës janë të papranueshme dhe se “ato mund të implementohen vetëm me dhunë”.

Tv Klan