Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë të dielën se ka ndërhyrë drejtpërdrejt në zgjedhjet parlamentare të 9 Shkurtit në Kosovë, dhe se ka ndikuar në zgjedhjen e deputetëve serbë dhe të pakicave të tjera. “Aparati shtetëror i Serbisë ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme t’i dëmtojë subjektet rivale serbe, veçanërisht Partinë për Liri, Drejtësi e Mbijetesë dhe Partinë Demokracia Serbe, si dhe votuesit të subjekteve të komuniteteve të tjera, kryesisht romë dhe ashkali”, tha ai.

Partia për Liri, Drejtësi e Mbijetesë udhëhiqet nga Nenad Rashiç, i cili është ministër në Qeverinë e Kurtit, i emëruar pas largimit të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës. Rashiç, duke folur përkrah Kurtit në konferencë në Prishtinë, tha se autoritetet serbe i përdorin serbët e Kosovës si mekanizëm për menaxhim, por edhe si element për destruktivitet. “Ata nuk duan që ne të kemi integrim të plotë dhe një jetë në harmoni në Kosovë, por pikërisht të kundërtën”, tha Rashiç.

Përfaqësues të caktuar nga pothuajse të gjitha subjektet e tjera politike serbe janë tërhequr nga gara pas kërcënimeve që kanë marrë, sipas Kurtit. Ai tha se këto raste janë shënuar në 4 komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, por edhe në 6 komunat e tjera në jug të vendit. “Për shumicën e këtyre rasteve, institucionet tona kanë dëshmi të cilat për hir të privatësisë dhe sigurisë së qytetarëve serbë, nuk e dobishme të bëhen publike”, tha Kurti.

Misioni vëzhdues i BE-së, në prezantimin e gjetjeve preliminare të tij për zgjedhjet e 9 Shkurtit, tha se Serbia kishte ndërhyrë në zgjedhje përmes trysnisë ndaj votuesve serbë në Kosovë.

Serbia u akuzua edhe nga Gjermania për ndërhyrje në zgjedhjet në Kosovë. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar ka marrë mbi 38.000 vota, ndërsa partia e Rashiçit rreth 4.000 vota. Kushtetuta e Kosovës garanton 10 nga 120 vendet e Kuvendit për komunitetin serb dhe 10 të tjera për komunitetet e tjera joshumicë.

Marta Temido, shefe e delegacionit të anëtarëve të Parlamentit të Evropian, tha në fund të Shkurtit se misioni vëzhgues ka gjetur se autoritetet serbe ndërhynë në zgjedhjet e Kosovës duke mbështetur Listën Serbe, njërën prej 6 partive serbe që morën pjesë në zgjedhje.

Kurti e akuzoi Serbinë për ndërhyrje hibride, përmes joshjes dhe kushtëzimit financiar, shantazhit, frikësimit dhe kërcënimit për t’i detyruar votuesit të votojnë për Listën Serbe.

/REL