Në krah të atyre që nuk pranuan shembjen e Teatrit Kombëtar, ka dalë edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti.

Në një postim në Facebook, Kurti thotë se kultura shqiptare duhet mbrojtur nga të gjithë e në ‡do cep.

“Ne duhet të jemi mbrojtësit e çdo cepi të kulturës sonë. Një pjesë e saj na është vjedhur nga pushtuesi serb – 1.200 artefakte kulturore të Kosovës. Një pjesë tjetër na është shtypur e ndrydhur nga diktatura e ideologji, na është sulmuar nga akademitë e fqinjëve, na është shitur e rrënuar prej paditurisë zyrtare a korrupsionit institucional”.

Për Kurtin, arkiva e një populli, kujtesa e tij, duhet të mbahet e paprekur nga regjimet, ndërsa shton se kultura është krijuar nëpër historitë e regjimeve, por në thelb të saj është krijimtaria dhe aderimi i një populli.

“Kur shembet një monument kulture, kjo nuk ndodh si pasojë e një gjykimi të pjesshëm, që vjen prej shijes së veçantë të dikujt, por prej interesave të përkohshëm që lidhen me përfitimet e disave”, shkruan ai.

“I përshëndes dhe i mbështes tërë artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën kaq gjatë Teatrin Kombëtar. Kur ndodhin humbje, ngjarjen sa edhe vetë humbja, e shënon në histori rezistenca. Në rezistencë mësojmë, e meqë nuk i harrojmë ato mësime, ata që sot përfitojnë, nesër humbin, kurse ata që humbin fitojnë”, e përmbyll mesazhin e lënë në rrjetin social Kurti. /tvklan.al