Pas situatës së krijuar në dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thirrur mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.

Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.

Kryeministri Kurti, gjatë një konference për media, të shtunën tha se Serbia po provokon konflikt serioz ndërkombëtar që rrezikon të marrë përmasa rajonale.

“Serbia qartazi dëshiron të militarizojë dhe të e eskalojë situatën. Po sjell deri afër kufirit të Kosovës edhe helikopterë e avionë të prodhimit rus. Nëpërmjet këtyre sulmeve, provokimeve ku përdoren qytetarët e Kosovës, Serbia provokon konflikt serioz ndërkombëtar, që rrezikon të marrë përmasa rajonale”, tha Kurti.

Sipas shefit të ekzekutivit kosovar, vendimet që do të ndërmerren karshi situatës së krijuar do të jenë në përputhje e me vlerësimet që i bëhen situatës së sigurisë.

“Tash për tash jemi në këtë gjendje sepse të këtillë e kemi vlerësuar dhe sjellja jonë është profesionale e korrekte deri më tani”, u shpreh Kurti.

Kurti bëri të ditur se janë ftuar nga faktori ndërkombëtar që të shkojnë në Bruksel për të diskutuar lidhur me situatën në veri, por, sipas tij, kjo ftesë është refuzuar nga Beogradi.

“Serbia nuk është e interesuar për fqinjësi të mirë. Serbia nuk është e interesuar për dialog”, tha Kurti.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se dy rrugët që çojnë në pikën kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë janë të bllokuara për automjete. Rruga, shtoi ai, është e bllokuara nga një numër i vogël i qytetarëve serbë që banojnë në veri.

“Ne kemi dëshmi të presioneve të ndryshme nga strukturat paralele ilegale dhe nga institucione të ndryshme të Serbisë t’iu bëjnë presion qytetarëve tanë të nacionalitetit serb që të bashkohen në protesta”, tha ai.

Ministri Sveçla, tha vendimi për t’u pajisur me targa të përkohshme është duke u zbatuar në tërë territorin e Kosovës dhe se sipas tij, deri më tani janë lëshuar mbi 9 mijë targa të përkohshme./REL