“Nuk mund të mbrohet Kosova pa adresuar krimet e Serbisë”

Reagime të shumta ka ngjallur fjalimi i kryeministrit shqiptar Edi Rama në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Por vetëm kryeministri Albin Kurti nuk e kishte dëgjuar. Të paktën kështu u tha gazetarëve në një konferencë për mediat, kur u pyet nëse kishte kontribuuar në fjalimin e mbajtur nga kreu i qeverisë shqiptare në mbrojtje të luftëtarëve të UÇK.

 “Nuk di a kam kontribuar në fjalimin e kryeministrit Rama sepse nuk e kam dëgjuar, pra nuk kam pasur mundësi ta dëgjoj, kam qenë në Pejë sot dhe tërë ditën nëpër takime të shumta e në mbrëmje vonë përpiqem të përditësohem për mëngjesin e nesërm”, ka thënë Kurti.

Ai tha se qëndrimet dhe kundërshtimin e tij për Gjykatën Speciale i ka shprehur në kohën kur është themeluar ajo dhe se nuk ka çka të shtojë.

 “Mund të them që Dhomat e Specializuara nuk janë karakterizuar nga transparenca, nuk mund të lavdërohen për transparencë dhe gjithashtu së shpejti bëhen dy vjet që kemi mbajtje në paraburgim pa një datë gjykimi. Mbi të gjitha besoj që faktorët ndërkombëtar do të duhej të mobilizohen që krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nga forcat e Serbisë të ndiqen dhe gjithashtu përgjegjësit dhe fajtorët të gjykohen dhe dënohen. Andaj kushdo që flet në arenën ndërkombëtare do të duhej nga faktorët ndërkombëtar ta trajtojë këtë çështje sepse në Kosovë ka ndodhur gjenocidi për ta ndaluar ka intervenuar NATO dhe kemi pa fund krime të pa adresuara. Pra nuk mund të flasësh për luftën në Kosovë dhe ta mbrosh Kosovën pa e adresuar krimin e Serbisë në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq ish-kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka thënë se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, është vënë në mbrojtje të Kosovës.

 “Në Asamblenë e Këshillit të Evropës u tha një e vërtetë e madhe nga goja e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Sot, ai ishte zëdhënës me plot dinjitet i të vërtetës për Kosovën dhe luftëtarët e saj të lirisë. Edi meriton përkrahjen dhe falënderimin tonë, të atyre që e duan dhe nuk e duan, sepse ai foli me argumente, kurse disa nga ne na ka kapluar urrejtja dhe inati primitiv. Edi u vu në mbrojtje të Kosovës, derisa udhëheqësit tanë po mbrojnë kolltukët e tyre”.

Sipas mediave në Kosovë, fjalimi i kryeministrit Rama në Asamblenë e Këshillit të Evropës është ndjekur me interes edhe nga babai i ish-presidentit Hashim Thaci. Ndërsa në rrjetet sociale shumë qytetarë të Kosovës po shpërndajnë foton e kryeministrit shqiptar me mbishkrimin “Faleminderit!”.

Klan News