Refuzohet kushti i LDK për marrëveshjen

Albin Kurti refuzon kërkesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për marrë postin e kryeparlamentarit në këmbim të marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Në një letër drejtuar Mustafës, Kurti e konsideron të pakthyeshme zgjedhjen e Glauk Konjufcës në krye të Kuvendit, teksa ia le të hapur mundësinë që LDK t’a shkarkojë me votat e saj.

“Është për të ardhur keq që ju vazhdoni që ne të bëjmë marrëveshje për ta larguar kryetarin e zgjedhur të Kuvendit, zotin Glauk Konjufca. Qeverisja jonë e përbashkët do ta kishte një ogur fort të keq nëse për gur themeltar ka bërjen kurban të Kryetarit të Kuvendit, zotit Konjufca dhe në shkeljen e vullnetit të lirë të deputetëve që e zgjodhën atë. Zoti Konjufca ka marrë 75 vota në Kunvendin e Republikës, përfshirë edhe 27 votat e deputetëve të LDK-së… Përveçse keni të drejtë, ju keni edhe gjasa t’a shkarkoni zotin Konjufca, por unë nuk mund t’ju ndihmoj në këtë rrugë”.

Kurti i kujton Mustafës se bujarisht i ka ofruar edhe postin e presidentit si dhe shumicën e ministrave në kabinetin e ri qeveritar, për të mos delegjitimuar një zgjedhje të bërë në mënyrë demokratike dhe mbi baza kushtetuese. Por në reagimin e tij për mediat, kreu i LDK-së Isa Mustafa preferoi ta konsideroi këtë letër si jozyrtare.

Letrën do ta shohim. Nuk e konsideroj letër zyrtare… por ajo që mund t’ju them është që ne jemi të interesuar ta përmbyllim këtë proces, për të bërë marrëveshje për të themeluar institucionet dhe që mos të vazhdojë akoma kjo agoni e institucioneve”.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vënë si kusht për bashkëqeverisje, postin e kryeparlamentarit dhe gjysmën e ministrive.

Tv Klan