Kryeministri Albin Kurti nuk e quan kushtëzim, por rend logjik që BE-ja t’i heq masat ndaj Kosovës pasi sipas tij kjo e fundit ka nisur zbatimin e marrëveshjes për de-eskalim të situatës në veri. Duke folur për deklaratën e zëvendësit të tij Besnik Bislimi se nuk do të ketë zgjedhje në veri pa u hequr masat nga BE-ja ai tha se zgjedhjet do të mbahen, por janë duke parë mënyrat se si t’i shpallin ato konform ligjeve të Kosovës. 

“Ne jemi duke u përgatitur që të ketë zgjedhje në veri. Për masa që janë quajtur të përkohshme presim që të tërhiqen sa më parë dhe është e logjikshme të ndodh paraprakisht”.

Ndërkohë shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, në një takim me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme u ka thënë atyre se masat e BE-së mund të tërhiqen, por paraprakisht nevojitet angazhim konstruktiv dhe i nevojshëm për de-eskalim në veri të dakorduar më 3 Qershor.

“E përsëris, ky qëndrim i datës 3 Qershor është mjaft i qartë. Ka kërkesa dhe pritje të caktuara dhe po ashtu është një qëndrim ku thuhet qartë se do ketë pasoja negative nëse këto kërkesa dhe pritje nuk respektohen”.

Kryeministri Kurti ka reaguar pas linçimeve që u janë bërë policëve të rinj serbë, të cilët ka dy ditë që kanë nisur punën. Ai i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të bëj trysni Beogradit që të mos linçohet serbët që duan të integrohen në shoqërinë kosovare. Për këtë ka reaguar EULEX-i dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.

Tv Klan