Kurti: Nuk ndihem i rrezikuar



Kurti: Nuk ndihem i rrezikuar

12:46 28/10/2021

Mbetet e paqartë se kush e ka bërë kërcënimin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vijuar normalisht axhendën e tij të takimeve këtë të enjte, pavarësisht njoftimit nga kabineti i tij se i pari i qeverisë ishte kërcënuar. Edhe pse nuk zbuloi detaje për natyrën e kërcënimit, ai i konfirmoi ato, por deklaroi se nuk ndihet i rrezikuar.

“Unë nuk ndjehem i rrezikuar, por janë organet e sigurisë që i vlerësojnë rrethanat e caktuara, përndryshe unë as dje e as sot nuk e kam ndryshuar agjendën time”.

Kërcënimi u konfirmua më herët nga zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu, i cili tha se institucionet kanë nisur punën për të zbardhur ngjarjen. Pranë banesës së kryeministrit të Kosovës u pa një shtim i forcave të sigurisë dhe Kurti u shoqërua nga njësia speciale.

Sipas mediave në Kosovë kërcënimi është bërë përmes rrjeteve sociale. Ato publikuan edhe këtë premtim të një personi me profil fals që në një faqe të shitjeve online ka ofruar 35 mijë euro për vrasjen e Albin Kurtit.

Por nënkryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë, Enver Dugolli, ka hedhur poshtë mundësinë që kërcënimi të ketë lidhje me postimet në rrjete sociale.

Tv Klan








Të ngjashme