Kurti paralajmëron shkarkime në bordet shtetërore

Një ditë më parë qeveria Kurti shkarkoi bordin e telekomit të Kosovës, por nuk do të ndalet me kaq. Kryeministri Kurti në 31-vjetorin e grevës së minatorëve ka paralajmëruar shkarkime të reja. Ndërsa ministri i Jashtëm ka shkarkuar 14 konsuj në vende të ndryshme të botës.

Kryetarja e parlamentit Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti vizituan minatorët në 31-vjetorin e grevës kundër regjimit të Millosheviçit. Këta të fundit kërkuan të ndërmerren hapa konkretë nga qeveria Kurti në shqyrtimin e kërkesave të tyre dhe kjo kompani të mos privatizohet.

Kryeministri Kurti u ka premtuar se siç e ka shkarkuar bordin e Telekomit do të veprojë edhe me të tjerët.

Ndërsa kryetarja e parlamentit, Vjosa Osmani u tha minatorëve se greva e tyre e mbajtur 31 vjet më parë, ka shërbyer për sensibilizimin qytetar. Ajo tha se minatorët me angazhimin e tyre vetëmohues lëkundën themelet e Jugosllavisë së atëhershme.

Një ditë më parë kryeministri Kurti shkarkoi bordin e Telekomit, ndërsa ka paralajmëruar se në këtë mënyrë do të veprojë edhe me bordet e tjera. Ndërsa sot ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca ka marrë vendim për shkarkimin e 14 konsujve në vende të ndryshme të botës, pasi sipas tij u emëruan në mënyrë të paligjshme në këto pozita.

Tv Klan