Vuçiç: Nuk do ta njohim kurrë. Takimi mbyllet pa marrëveshje

Përmbyllet mes tensioneve dhe pa marrëveshje takimi i parë i Albin Kurtit me Aleksandër Vuçiçit në dialogun Prishtinë-Beograd në Bruksel të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Kryeministri i Kosovës komentoi takimin përmes një postimi në Facebook, ku tha se i kishte bërë kreut të shtetit serb 4 propozime, përfshirë njohjen reciproke mes dy vendeve.

“Pas njohjes së ndërsjelltë mes Kosovës dhe Serbisë, në dy vendet tona të kemi reciprocitet, përfshirë edhe pakicat. Serbët në Kosovë mund të kenë këshillin e tyre kombëtar, siç kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi. Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje, duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën”.

Por presidenti i Serbisë nuk i pranoi këto propozime.

“Ai burrë erdhi të pyesë, kur do e njohësh Kosovën e pavarur. Përgjigja ime ishte “kurrë” dhe pastaj ai shpërtheu. Delegacioni shqiptar nuk dëshiron të përmbushë marrëveshjet që nënshkruam, nuk do të flasë për Bashkimin e Komunave Serbe”.

Për përfaqësuesin special të Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak, pavarësisht mungesës së rezultateve, arritje është edhe vetë zhvillimi i këtij raundi të dialogut.

“E rëndësishme për Bashkimin Europian është se dy liderët konfirmuan se nuk ka rrugë tjetër përparimi, veç normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”.

Parashikohet që takimi i radhës të zhvillohet para 25 Korrikut.

Tv Klan