Disa orë pas zyrtarizimit të marrëveshjes për qeverinë e re të Kosovës kanë ardhur edhe reagimet e palëve që mbeten në opozite. Lëvizja Vetëvendosja, e cila mori përfaqësimin më të madh në parlament si subjekt i vetëm politik, do të jetë në opozitë së bashku me Isa Mustafen, koalicioni i të cilit u prish pas bashkimit të AKR-së me koalicionin PAN.  Për Albin Kurtit, konstituimi i  Kuvendit të Kosovës dhe formimi i qeverisë së re u la në dorë presidentit serb, Vuçiç, ndërsa nuk i kurseu akuzat për Isa Mustafën.

Albin Kurti

“Kot je pasiv që të mos bësh gabime, sepse pasiviteti është gabimi më i madh. Pas marrëveshjes së mbrëmshme, konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe formimi i qeverisë së re është lënë në dorë të Vuçiçit”. 

Ndërsa për kryetarin e lidhjes demokratike, Isa Mustafa, Kosova brenda gjashtë muajsh vendi  do të shkojë në zgjedhje të reja.

Isa Mustafa

Ajo çfarë është e qartë nga ky koalicion është se nuk fitoi askush, as Pacolli me megaministritë e tij, as Ramushi me një qeveri asimetrike, as sekserët e “Listës Rugova” dhe më së paku fitoi Kosova, e cila më së shumti për gjashtë muaj do të shkojë në zgjedhje të reja nacionale.

Nënshkrimi i marrëveshjes me AKR-në do t’i mundësojë koalicionit PAN shumicën prej 63 deputetësh. Në këto kushte, të enjten pritet të zhvillohet seanca konstitutive ku do të zgjidhet kryetari i ri i parlamentit. Kandidat për postin nga koalicioni fitues i zgjedhjeve është propozuar Kadri Veseli.

Tv Klan