Kurti sqaron reciprocitetin për serbët

Kurti sqaron reciprocitetin për serbët

16:40 10/08/2022

“Dezinformim për dokumentet, ato nuk konfiskohen”

Kryeministri Albin Kurti preferoi të niste mbledhjen e qeverisë në gjuhën serbe dhe më pas në atë shqipe për të sqaruar vendimin për reciprocitetin, i cili do të zbatohet nga 1 Shtatori. Kurti ka deklaruar se është përhapur një fushatë dezinformimi dhe destabilizimi.

“Por, përballë fushatës sonë të informimit për vendimet e qeverisë të datës 29 Qershor dhe thirrjes për ligjshmëri u ngrit një fushatë e dezinformimit, e cila nxiste frikë dhe synonte destabilitet. Ajo ishte vetëm në shërbim të barrikadave. Në përbërje me individë të armatosur e me të kaluar kriminale, barrikadat u bënin rezistencë vendimeve tona vetëm që të mbronin krimin e organizuar në veri të vendit”.

Ai e cilësoi si lajm të rremë se ID-të ose dokumentet serbe do të konfiskohen në kufi në këmbim të dokumentit për hyrje-dalje.

“Kjo nuk është e vërtetë. Dokumenti për hyrje-dalje është dokument shtesë, i cili jepet pa pagesë dhe me të cilin mund të merren edhe shërbime të tjera në institucionet tona shtetërore gjatë kohës së qëndrimit në Kosovë”.

Ai u shpreh se fushata e informimit për regjistrimin e tabelave të veturave do të vazhdojë dhe nuk do të ndalet as pas 1 Shtatorit, kur edhe do të rifillojnë së zbatuari dy vendimet tona.

Vendimi i Qershorit i qeverisë për reciprocitetin shkaktoi tensione ne veri të Kosovës, ku dy pikat kufitare në Jarinë dhe Bernjak u bllokuan nga barrikadat e ngritura serbët.

Situata u shtensionua pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve duke bindur qeverinë Kurti ta shtynte me 1 muaj zbatimin e vendimit.  Ndërsa pas tejkalimit të kësaj situate,  kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçciç do të takohen më 18 Gusht në Bruksel.

Tv Klan





Të ngjashme