Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se presidenti, Hashim Thaçi po synon që Kosova të ketë një kryeministër të dobët, i cili do t’i mundësonte atij më shumë kompetenca dhe pushtet. Gjatë një konference për media në Prishtinë, Kurti tha se presidenti po bën shkelje të rënda të kushtetutës, duke pretenduar që t’i jap mandatin Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e qeverisë.

Por, siç tha ai, ende nuk e ka në dorë letrën zyrtare të presidentit me të cilën i kërkon LDK-së që ta formojë qeverinë, pasi që në momentin që ta ketë këtë shkresë zyrtare, Kurti tha se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Thaçi duhet ta respektojë kushtetutën dhe nuk mund ta shkruajë atë”, tha kryeministri në detyrë, duke shtruar më pas dilemën se si kishte ardhur në përfundim Thaçi se Vetëvendosje nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e vet për propozimin e mandatarit, kur Vetëvendosje nuk e ka thënë një gjë të tillë.

“Letra e parë që ma dërgoi presidenti pas mocionit të mosbesimit ishte më 2 prill kurse në pasditen e 22 prillit konstatoi që ne po e refuzojmë. Kjo është arbitrare, ku shkruan në kushtetutë që 20 ditë më pas, presidenti duhet të konkludojë që është refuzuar mandatimi për kryeministër”, tha Thaçi.

Ndërkaq në lidhje me propozimin e LDK-së që Avdullah Hoti të jetë mandatari i ardhshëm për formimin e qeverisë, Kurti tha se presidenti dëshiron që Kosova ta ketë një kryeministër të dobët, të cilin do ta dirigjonte për t’i siguruar vetës më shumë pushtet dhe për të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë.

Presidenti Thaçi ka thënë të enjten se “çdo hap i tij është dhe do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”.

Qeveria Kurti është rrëzuar me mocion mosbesimi në Kuvend më 25 mars. Që atëherë presidenti i Kosovës ka nisur konsultimet me partitë politike për formimin e qeverisë së re. Më 22 prill, presidenti Thaçi konstatoi se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve nuk e ka shfrytëzuar rastin për propozimin e mandatarit, kështu që këtë të drejtë ia kaloi LDK-së./REL