E akuzon se përdor grupe terroriste për ta kërcënuar

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të intervistojë presidentin Hashim Thaçi si dëshmitar. Një ditë më parë në Klan Kosova, presidenti ka thënë se ka informacione nga shërbimet sekrete se nuk ekziston e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare” nga e cila Kurti ka thënë se është kërcënuar. Sipas tij LVV-ja e ka sajuar një “kërcënim” të tillë.

“Nëse paska informacione të tilla, ai duhet t’i ndihmojë institucionet e drejtësisë të zbardhin këtë kërcënim ndaj meje. Këto janë deklarata të pamatura të presidentit të frustruar dhe në panik. Presidenti duhet të reflektojë unitetin e popullit. Ai po e sulmon qeverinë në detyrë pas mocionit të detyrës”, tha Kurti.

Kurti ka thënë se do të pranojë vendimin e Gjykata Kushtetuese në lidhje me mandatarin për kryeministër të propozuar nga presidenti Thaçi në rast se aktgjykimi përbën interpretim të Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese është duke shqyrtuar ankesën e LVV-së për dekretimin e kandidatit të LDK-së për kryeministër nga presidenti.

Tv Klan