Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shkuar në Kroaci dhe ka parë nga afër të plagosurit kosovarë të aksidentit tragjik që ndodhi mëngjesin e së dielës pranë qytetit Brodi.

Duke folur për mediat jashtë spitalit, Kurti e konsideroi ngjarjen tepër të rëndë, por nga tjetër falenderoi Kryeministrin kroat Andrej Plenkovic për gatishmërinë që kishte treguar për të plagosurit kosovarë dhe për bashkëpunimin e ofruar.

“Vizitova të gjithë pacientët nëpër dhomat e spitalit përfshirë edhe ata dy që janë në kujdesin intensiv dhe i falenderoj edhe menaxhmentin e spitalit por edhe profesionistët shëndetësorë për kujdesin e treguar dhe për angazhimin e pakursyer. Qindra mijëra qytetarë të vendit tonë kthehen gjatë Verës për pushime në vendlindje, dhe shteti ynë, ekonomia jonë, mirëqenia e tillë çfarë e kemi varet shumë prej tyre, prandaj kjo tragjedi është tejet e rëndë. E duke iu falënderuar përkujdesjes dhe solidaritetit këtu bashkë do t’ia dalim më kollaj dhe më shpejtë, prandaj edhe njëherë ngushëllime familjeve të të vdekurve dhe faleminderit Kryeministrit Plenkovic”, ka thënë Kurti.

Mëngjesin e sotëm, një autobus i nisur nga Gjermania me destinacion Kosovën humbi kontrollin dhe doli nga rruga duke u përmbysur në një autostradë pranë qytetit Brodi në Kroaci. 10 pasagjerë humbën jetën në mesin e 69 udhëtarëve që ndodheshin në autobus, përfshirë dhe dy shoferët.

Të gjithë janë shqiptarë të Kosovës që jetojnë në Gjermani dhe po ktheheshin në vendlindje për pushime. Drejtuesi i autobusit është arrestuar dhe ka pranuar se e zuri gjumi dhe për këtë arsye humbi kontrollin mbi mjetin.

Kryeministri i Kroacisë: Do t’i ndihmojmë të plagosurit me gjithçka është e nevojshme

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, ka vizituar në spital shqiptarët e Kosovës që mbetën të plagosur në aksidentin tragjik mëngjesin e sotëm në Brodi.

Kreu i qeverisë kroate siguroi se do të kujdesen për të gjithë të plagosurit me çdo gjë që të jetë e nevojshme.

Do t’i ndihmojmë me gjithçka që është e nevojshme, duke filluar nga kostot, qëndrimi në spital dhe organizimi për vazhdimin e rrugës drejt Kosovës. Të plagosurit do të qëndrojnë në spital përsa kohë të jetë e nevojshme. Bëhet fjalë për familje. Disa janë të plagosur, disa jo. Ne do t’i ndihmojmë të ndihen mirë këtu dhe të marrin të gjithë mbështetjen e nevojshme”, u shpreh Kryeministri i Kroacisë pasi vizitoi të plagosurit në spital.

Plenkovic tha ndër të tjera se është hera e parë në shumë vite që në Kroaci ndodh një aksident i përmasave të tilla. Ai shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, por nga ana tjetër falenderoi të gjitha shërbimet e emergjencës dhe këdo që ndihmuan në këtë situatë. Kryeministri kroat shoqërohej nga disa ministra të qeverisë së tij gjatë vizitës në spital.

Flet i mbijetuari: Ishte një masakër e vërtetë

Në një hotel në Brodt të Kroacisë ku raportohen se gjenden katërmbëdhjetë të mbijetuar të cilin kanë shpëtuar pa dëmtime,  gjenden Fidan Hajdari dhe Gjevahire Gashi  të cilët përshkruajnë gjendjen e tmerrit që përjetuan këtë të dielë, shkruan Sbplus.

Hajdari përshkruan aksidentin: “Ne që ishim në pjesën e përparme të autobusit ishim mirë, por për ata që ishin mbrapa ishte një masakër e vërtetë.

Pothuajse të gjithë pasagjerët flinin në autobus pasi ishte ora gjashtë e mëngjesit. Ende nuk e kam të qartë se si ndodhi një tragjedi kaq e madhe. Gjëja e parë që mbaj mend pas përmbysjes kur u zgjova ishte mendimi se sapo ishim rrotulluar dhe se nuk ishte një aksident i rëndë. Në atë kohë, nuk kisha ide se do të ishte kaq tragjike, por ishte.”

Në mesin e tyre e katërmbëdhjetë të mbijetuarve që kanë shpëtuar pa lëndime gjenden dhe te moshuar.

“Ajo që kemi kaluar është tmerr. Imazhet do të qëndrojnë në kokën time përgjithmonë. Thjesht nuk dua që ky aksident të mbulohet me gënjeshtra, shpresoj që të gjithë do të përpiqen të zbulojnë shkakun e tij të vërtetë”, tha Gjevahire Gashi. 

 /tvklan.al