Pas skandalit me zv/Kancelarin austriak, i cili dha dorëheqjen për shkak të publikimit të një videoje ku ai i premtonte mbështetje për tendera publikë një oligarkeje ruse, Kancelari austriak Sebastian Kurz i kërkoi Presidentit Aleksander Van der Belen shkarkimin e ministrit të  Brendshëm  dhe zëvendësimin me teknokratë të ministrave të tjerë nga Partia e Lirisë.

Kjo shihet si një lëvizje e detyruar e Kancelarit Kurz pasi ministrat e Partisë së Lirisë kishin njoftuar dorëheqjen e tyre kolektive në rast të largimit nga qeveria të ministrit të Brendshëm.

Shkarkimi i tij ishte konsideruar i paevitueshëm, pasi do të ishte e pamendueshme që ai të kryente hetime për rastin në fjalë, në të cilin ai kishte përfshirje të jo të drejtpërdrejtë, pasi në atë kohë shërbente si sekretar i përgjithshëm i Partisë Liberale.

Video-skandali u publikua të premten nga revista gjermane ‘Der Spiegel’, duke shkaktuar një tërmet të vërtetë politik në Austri, e cila në Shtator me vendim të Kancelarit Kurz do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Tv Klan