Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus ka zbardhur dëshminë e plotë te Admir Jenishaj, shefit të grupit të patrullave që ishin në detyrë ditën kur u vra Klodian Rasha nga efektivi i forcave “Shqiponja” Nevaldo Hajdaraj.

Në dëshminë e dhënë përpara dy oficerëve të policisë gjyqësore të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, specialisti i sektorit të forcës së posaçme “Shqiponja”, Admir Jenishaj ka treguar se si u informua për ngjarjen e ndodhur. Sapo dëgjoi lajmërimin në radio, ai urdhëroi dy patrulla të motorëve të “Shqiponjave” që të shkonin drejt vendit të ngjarjes.

Këto patrulla përbëheshin nga efektivët Nexhip B., Fatjon A., Mihal L. dhe Indrit H. Të njëjtët punonjës policie, kolegë të Nevaldo Hajdarajt dhe Erion Gjores, u urdhëruan nga shefi i tyre Admir Jenishaj që të kontrollonin të gjithë zonën ku kishte ndodhur ndjekja në këmbë e Klodian Rashës nga dy punonjësit e policisë. Më pas, njëri prej tyre, njoftoi me telefon eprorin Admir Jenishaj se kishte gjetur një armë në një nga rrugicat.

Dëshmia e plotë e Admir Jenishaj:

“…Aktualisht jam me funksion Specialist shërbimi i Patrullës së Përgjithshme Motorrist, pranë Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Ju tregoj se në datë 07.12.2020 në orën 21:30 kam rreshtuar njësinë e shërbimit me qëllim kontrollin e uniformës, pajisjeve dhe anën e jashtme të policëve dhe në vijim kam kryer instruktimin si çdo rast para marrjes së shërbimit, duke i lënë porosi të përgjithshme dhe specifike të cilat janë pasqyruar në Librin e Shërbimit. Kam ndjekur marrjen e armatimit dhe pajisjeve antiplumb nga armatura dhe kam kryer shpërndarjen e forcave sipas planit të vendosjes në sektorë, duke i ndarë policët në grupe shërbimi me autovetura dhe me motorçikleta. Më pas kam vijuar duke monitoruar shërbimet dhe kam lëvizur me automjetin e policisë me targa AA953RU. Rreth orës 24:05 u kam dhënë detyrë dy punonjësve të policisë me kod thirrje shërbimi “Shigjeta 5” (motorrist) të vendoseshin me shërbim te vendi i quajtur “Shushica” pranë Stadiumit “Selman Stërmasi”. Në orën 01:09 unë isha në lëvizje pranë Presidencës dhe kam dëgjuar në radio punonjësin e policisë Erion Gjore i cili kërkoi ndihmë pasi një person mashkull, me gjatësi rreth 170 cm, me tuta të zeza, dhe xhup gri u ishte larguar pas thirrjes së tyre dhe i janë vënë në ndjekje, pranë vendit të quajtur “Karburant Kupola” në rrugën “Dritan Hoxha”. Menjëherë kam urdhëruar me radio shërbimet e patrullave të policisë që t’i shkonin në ndihmë. Pas një minute, patrulla e policisë “Shigjeta 5”, punonjësit e policisë Nexhip B., Fatjon A., Mihal L. dhe Indrit H. më raportuan në radio se kishin mbërritur në rrethrrotullimin e “Zogut të Zi” dhe i kërkuan sallës së Komandimit adresë të saktë se ku ndodheshin dy punonjësit e policisë Erion Gjore dhe Nevaldo Hajdaraj, të cilët kërkonin mbështetje pasi ishin në ndjekje të personit. Më pas punonjësi i policisë Erion Gjore raportoi në radio se gjendeshin diku te “Shkolla e Partisë” në afërsi të Drejtorisë së Doganave. Në vijim Erioni i kërkoi me radio Sallës së Komandimit një ambulancë por as mua nuk më tregoi arsyen pse e kërkonte ambulancën. Unë isha në lëvizje në drejtim të tyre dhe kur kam arritur në rrugën “Dritan Hoxha”, kam konstatuar mjete policie dhe motora policie përballë një dyqani pjesësh këmbimi. Sapo mbërrita aty, komunikova me punonjësen e policisë të “Shqiponjave” Ana Peqini, e cila më tha… komandant është përdorur arma nga punonjës policie… Iu afrova punonjësve të policisë që ishin rreth 20 metra më tutje dhe konstatova se në tokë gjendej një person mashkull, të cilin në atë çast ka mbërritur një personel mjekësor me ambulancë dhe e mori për ndihmë të shpejtë mjekësore dhe u drejtuan për në Spitalin Ushtarak. Pyeta punonjësin e policisë Erion Gjore dhe më tha se kolegu i tij punonjësi i policisë Nevaldo Hajdaraj kishte përdorur armën e tij pistoletë të shërbimit duke qëlluar personin që kishin në ndjekje pasi ishte rrezikuar nga ai, person i cili ishte pikërisht ai që gjeta në vendin e ngjarjes siç citova më sipër.

Ju afrova punonjësit të policisë Nevaldo Hajdaraj dhe më tha se kishte shtënë me armë ndaj personit në fjalë gjatë ndjekjes pasi ishte ndjerë i rrezikuar nga ai. Njoftova sallën e komandimit dhe shefin e Sektorit Florian D.në lidhje me ngjarjen. Pasi e pyeta se ku e kishte armën e tij pistoletë të shërbimit, Nevaldua më tregoi se e kishte në vendin ku mbahet arma dhe tha se e kishte me fishekë në folenë e fishekut. Ai më tregoi se kishte qëlluar dy herë në drejtim të këmbëve por nuk dinte se ku e kishte kapur plumbi atë person. Të dy punonjësit e policisë Erion Gjore dhe Nevaldo Hajdaraj më dorëzuan armën e tyre pistoletë të shërbimit në gjendjen sic ishin në ato çaste. Kam ndejtur me ta duke u kërkuar që të qetësoheshin dhe i kam marrë me vete për në ambientet e Drejtorisë së Policisë. Për të gjitha këto veprime kam raportuar në Sallën e Komandimit si dhe eprorin. Në Njësinë që unë drejtoj në gjendje pune është vetëm një kamera trupi individuale dhe këtë kamerë e kishte patrulla e policisë e vendosur si pikë kontrolli në mbështetje të Komisariatit Nr.5 sipas planit të masave. Theksoj se patrulla e policisë, me punonjësit e policisë Nevaldo Hajdaraj dhe Erion Gjore nuk kanë patur kamera trupi. Ju sqaron se kamerat e trupit që policët kanë patur në pajisje, u janë dëmtuar dhe janë dorëzuar në magazinën e DV Policisë Tiranë. Nuk e mbaj mend orën e saktë, pas orës së ngjarjes, kam urdhërar patrullën e policisë “Shigjeta 5”, motorçiklistët Nexhip B., Fatjon A., Mihal L. dhe Indrit H. që të kontrollonin itinerarin e ndjekjes së personit nga punonjësit e policisë, për evidentimin e ndonjë sendi të kundraligjshëm. Pas disa minutash punonjësi i policisë Fatjon A. më njofton me telefon se kishin gjetur një armë zjarri, tip pistoletë në rrugë, në afërsi të Drejtorisë së Doganave. Menjëherë kam raportuar eprorët. Më pas aty ka mbërritur grupi hetimor, ndërsa unë jam paraqitur në Drejtorinë e Policisë në lidhje me sigurimin e punonjësve të policisë Erion Gjore dhe Nevaldo Hajdaraj. Edhe patrulla e policisë “Shigjeta 5” në fjalë nuk kanë patur kamera individuale trupi për mungesë të tyre. /tvklan.al