FBI: Përgjegjësit janë REvil, një nga grupet më kriminale në botë

Një grup kriminal rus qëndron pas sulmit në kompaninë më të madhe në botë për përpunimin e mishit. Në këtë përfundim ka arritur FBI, e cila po punon për të vënë para drejtësisë grupin REvil.

Shumica e anëtarëve të saj besohet se janë të vendosur në Rusi ose vende që më parë ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik. Prej kohësh ata kryenin sulme të tilla duke fituar akses në një rrjet kompjuterik ose skedarë, si dhe duke hakuar përdoruesit nga sistemet e tyre. REvil, i njohur gjithashtu si Sodinokibi, është një nga grupet më kriminale dhe fitimprurëse kibernetike në botë.

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se presidenti i SHBA, Joe Biden do të diskutojë për këtë çështje edhe në samitin e 16 Qershorit, kur të takohet me presidentin rus Vladimir Putin.

Pas hakimit u mbyllën përkohësisht disa fabrika në SHBA, Kanada dhe Australi. Dyshime të ngjashme për Rusinë u ngritën edhe më herët pasi nga një sulm i hakerave muajin e kaluar, u mbyll përkohësisht tubacioni më i madh i karburantit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga ana e saj, Rusia tha se do të ishte e hapur ndaj çdo kërkese të SHBA-së për ndihmë në hetimin e sulmit kibernetik.

Tv Klan