Gjatë javëve të fundit, Presidenti Ilir Meta është bërë kryefjala e aktualitetit politik në vend, që pas ngërçit me Gjykatën Kushtetutese. Në betejën e radhës me mazhorancën socialiste, Presidenti Ilir Meta nuk ka kursyer as ambasadorë të caktuar, të cilët i akuzon se po mbështesin qeverinë në dhunimin, që sipas tij, po i bëhet Kushtetutës.

Por, kush e mbështet Presidentin Ilir Meta? Kush nga faktori ndërkombëtar qëndron prapa tij? Këtë pyetje ka bërë Arian Çani në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan, përgjigjen e të cilës e ka marrë nga analisti Fitim Zekthi. Ky i fundit ka thënë se është në dijeni që Meta ka kontakte me zyrtarë të lartë amerikanë që janë njerëz të Presidentit Donald Trump. Sipas Zekthit, Presidenti Meta po mbron Kushtetutën dhe është në anën e drejtë të kësaj beteje.

“Padyshim që Meta duhet të ketë njerëz nga pas, faktorë, elementë. Meta është politikan i vjetër. Unë e di personalisht që z.Meta është në kontakte me funksionarë të lartë të administratë amerikane, për shembull ambasadorin amerikan në OSBE që është James Gilmore që ka qenë Guvernator i Virginia, një politikan shumë i rëndësishëm i emëruar prej z.Trump. Si ky ka shumë të tjerë me të cilët është në kontakt z.Meta, të cilët e inkurajojnë këtë lloj beteje, sepse kjo është betejë për Kushtetutën, nuk është betejë… Z.Rama që është mjeshtër i kësaj loje, “House of cards”, është kalkulator jashtëzakonisht i ftohtë. Ai është një njeri që këtë gjë e bën për kredo të tij personale. Ndërsa z.Meta kapet pas principeve themelore të Kushtetutës dhe është në anën e drejtë”, është shprehur analisti Fitim Zekthi. /tvklan.al