Në rubrikën “Shihemi në gjyq” në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, u trajtua problemi që kanë dy banorë të fshatit Ndroq në Tiranë, z.Kadri Trimi dhe z.Ilir Dardha. Në këtë seancë ndërmjetësimi u shfaq problemi i pronave. Kadri Trimi tha se toka që ka pasur në trashëgimi dhe që aktualisht e punon, figuron në pronësi të Ilir Dardhës, banor i këtij fshati.

Bëhet fjalë për një sipërfaqe të madh toke, për të cilën Ilir Dardha pretendon se nuk ja ka marrë, por persona të tretë i kanë falsifikuar atij firmën për të marrë pronën e Kadri Trimit. Ky i fundit nuk e beson këtë variant dhe akuzon bashkëfshatarin e tij për implikim. Sipas z.Dardha, falsifikimi i firmës së tij dhe dokumenteve të tjera është bërë nga kushërinjtë e tij, të cilët nuk preferoi t’u thoshte emrat në publik. Ai thotë se këta kushërinj janë njerëz me pushtet dhe sipërfaqes 4200 metra katrorë tokë që i takojnë, i kanë bashkangjitur edhe 15 mijë metra katrorë tokë tjetër të Kadri Trimit.

E gjithë kjo sipërfaqe rezulton në pronësi të Ilir Dardhës, që më pas i është shitur një qytetari tjetër. Firma në aktin e shitjes nuk është e Ilir Dardhës, sipas këtij të fundit. Ai pohon se firma i është falsifikuar, madje për shkak të këtij mashtrimi, ka humbur edhe pronat e veta. Por, ai vet refuzon që të shkojë në institucionet shtetërore kompetente që të ankohet për keqpërdorim të emrit të tij, duke thënë se nuk ka fuqi të përballet “me kriminelët” dhe me shtetin.

Kadri Trimi: Banoj në fshatin Ndroq. Kam ardhur në këtë seancë ndërmjetësimi për çështjen e pronës. E kam tokën. Desha ta regjistroja në Hipotekë që të merrja çertifikatën. Kam 10 vjet që jam interesuar. Arsyen e kam marrë vesh 2 muaj. Kur i hyra kësaj pune, doli emri i këtij zotërisë. E kishte blerë ky tokën time, që s’e kam as kufitar. Ka 20 vjet, që në 2005 që kanë bërë dallaveret. Se çfarë ka bërë ky, duhet ta shpjegojë ky. E kam dhe mik, po ky nuk është mik.

Ilir Dardha: Nuk jam unë fajtori, po më akuzon kot. Ish-pronarët e tokës që ka pasur ky zotëria, kanë ardhur për të marrë pronat e veta. Meqë janë të afërmit e mi, njerëz me pushtet, kanë përdorur emrin tim. Nga 4 dynym e 200 metër që më takon mua prona në bazë të ligjit, kanë shtuar 15 mijë metra katrorë prapë duke e bërë këtë dokument të pavlefshëm. Unë kam humbur pronat e mia. Mua në komunë ma kanë fshirë emrin fare.

Kadri Trimi: Kemi qenë në një parcelë të gjithë. Këta kanë fshirë parcelën të gjithë.

Ilir Dardha: Janë mbi 10 familje të përfshira. Nuk është vetëm z.Kadri. Ne mirë që na ka zënë halli, po ne jemi dhe budallenj, nuk bashkohemi të gjithë bashkë për të kryer një hall.

Kadri Trimi: Unë tokën e kam, e punoj, po dua ta regjistroj që të marrë certifikatën e pronësisë. Ky zotëria e ka marrë se ka miq. Unë s’kam pasur miq.

Eni Çobani: Në këtë akt toke juve keni katër pasuri. Dhe keni arë 3 mijë metër katrorë, keni më pas 2400 metër katrorë arë. Të tërën këtë nuk e keni të regjistruar?

Kadri Trimi: Të gjithë!

Eni Çobani: Po ju në fakt keni vazhduar e keni punuar, keni paguar dhe taksat dhe letrat faktikisht nuk i keni pasur asnjëherë. Z.Ilir, nga studimi që unë i kam bërë dosjes që z.Kadri na ka dorëzuar, rezulton se shtetasi Ilir Dardha që jeni ju, ka qenë pronar i pasurisë me sipërfaqe 15 mijë metër katrorë me numër pasurie 5311. Kjo është pasuria juaj?

Ilir Dardha: Jo!

Eni Çobani: Por nuk disponojmë asnjë akt-marrje toke për këtë pronë. Po kjo pronë çfarë është, 15 mijë metër katrorë që ke ti në Lagjen e Re në emrin tënd?

Ilir Dardha: Në bazë të ligjit 7501 në zonën time është dashur 700 metër katrorë për frymë tokë arë. Se ne kemi dhe prona të tjera, por meqë pronat e tjera nuk kanë vlerë i kanë zhdukur. Çfarë i kanë bërë këtij dokumenti? Në 1991 unë kam pasur 6 anëtarë familje me një pronë 4200 metra. Çfarë kanë bërë këta ish-pronarët? Këtij 4200 metra i kanë shtuar 15 mijë metër katrorë tokën e tyre.

Ardit Gjebrea: Po si u shtuan?

Ilir Dardha: Unë nuk e di. Kanë përdorur dhe emrin tim. Unë sot nuk figuroj fare, nuk paguaj as taksë toke.

Ardit Gjebrea: Pra, që në datën 23 Qershor të vitit ’92, këto 15 mijë metra janë të tuat me dokument.

Ilir Dardha: Jo se ligji 7501 nuk e pranon këtë, në zonën time unë kam 700 metra. Me 6 anëtarë familje, nuk jam vetëm unë se ka dhe të tjerë. Këtij dokumenti 4200 metra, edhe sikur 1 metër t’i lëvizi, ky del i pavlefshëm.

Eni Çobani: Rezulton më pas që ju e keni shitur këtë kundrejt një qytetari tjetër.

Ilir Dardha: Nuk janë mjaftuar me falsifikimin e kësaj, kanë vazhduar prapë, kanë bërë edhe falsifikimin tjetër, kanë bërë akt shitje.

Eni Çobani: Keni firmosur ju në atë akt?

Ilir Dardha: Jo! Janë false.

Eni Çobani: Edhe firma juaj?

Ilir Dardha: Po. E sigurt 100%, e kam parë dokumentin janë false. Aty kanë firmosur djali im, edhe vajza. Djali im dhe vajza janë në Itali. Unë nuk e di që është bërë akt shitje. Unë e mora vesh kur më akuzuar këta.

Eni Çobani: E njihni qytetarin tjetër që ka marrë këtë pronë?

Ilir Dardha: Po pra janë të afërmit e mi. Kanë përdorur emrin tim meqë unë jam banor i asaj zone. Janë kushërinjtë e mi. Njerëz me pushtet. Në ’91 unë kam pasur një familje prej 6 anëtarësh. Në bazë të ligjit 7501 kanë ndarë 700 metër tokë arë për frymë. Në bazë të saj unë duhet të kem 4200 metra katrorë tokë. Prandaj ky dokument është falsifikuar në zyrat e shtetit.

Eni Çobani: Në momentin kur ju u vutë në dijeni për dokumentin e falsifikuar që pretendoni, ju drejtuat ndonjë organi shtetëror për këtë falsifikim për të hequr emrin tuaj?

Ilir Dardha: Jo, unë nuk kam fuqi për të akuzuar shtetin. Unë nuk e akuzoj dot shtetin.

Eni Çobani: Çfarë përpjekjesh keni bërë ju për të hequr emrin?

Ilir Dardha: Asnjë lloj përpjekje! Ne kemi ngelur me shpresë se shteti do rregullohet. E falenderoj z.Edi Rama që po na pajis me dokumente prone, kemi 28 vjet që ne nuk marrim një dokument prone. E falenderoj z. Edi Rama, edhe nëse ja arrin kësaj pune ai do shpallet “Babai i Shqipërisë”, si Ataturku në Turqi. Po e shpreh publikisht. 28 vjet pa dokument që na është dhënë prona.

Ardit Gjebrea: Ilir, për kë the “Babai i Shqipërisë”?

Ilir Dardha: Për Edi Ramën!

Ardit Gjebrea: Pse?

Ilir Dardha: Se ka marrë iniciativën për të pajisur popullin me letra.

Ardit Gjebrea: Po ti ke 15 mijë metra më tepër aty mo…

Ilir Dardha: Meqë ka thënë Edi Rama për të dalë këto. Unë as kam pasur për ta hapur kurrë këtë muhabet. Unë nuk jam fajtor se shteti po manipulon…

Ardit Gjebrea: Po thuaji “Babait”….

Ilir Dardha: “Babai i Shqipërisë”. Po arriti Edi Rama që t’i japë fund kësaj pune shpallet “Babai i Shqipërisë”.

Ardit Gjebrea: Nga njëra anë thua shteti nuk funksionon, nga ana tjetër thua ta bëjmë Edi Ramën “Babai i Shqipërisë”.

Ilir Dardha: Unë nuk merrem me politikë fare.

Ilir Dardha: Këta që kanë bërë këtë janë kushërinjtë e mi.

Ardit Gjebrea: Po pse e kanë bërë?

Ilir Dardha: Kanë qenë me pushtet në 2004, janë akoma në pushtet. Po i bëj pyetje vetes sime: Pse janë këtë në pushtet? Nuk është puna se Edi Rama i mban mbrapa këta se janë në pushtet. I ka dhënë votën populli, edhe Edi Rama ka rënë pre e tyre. Është faji jonë që votojmë kriminelët.

Ardit Gjebrea: Po nuk u denoncuan kriminelët, populli do vazhdojë t’i votojë.

Ilir Dardha: Unë nuk kam fuqi.

Ardit Gjebrea: Si t’ia bëjë Kadriu në momemtin që ti nuk denoncon? Si ta zgjidhim ne?

Ilir Dardha: Atë e di shteti.

Kadri Trimi: Që në komunë kanë filluar dallaveret. Luan rolin ai sikur bën kështu.

Ardit Gjebrea: Si ta zgjidhim këtë problem znj. Eni?

Eni Çobani: Do na ndihmonte shumë një komunikim me administratorin e Ndroqit.

Për këtë problem, në lidhje telefonike live ndërhyri edhe administratori i fshatit Ndroq, Xhavit Ceka. Ai pranoi se është në dijeni të problemit që ka z.Kadri Trimi, pasi ky i fundit i kishte shkuar vet në zyrë për të kërkuar dokumentet që të merrte aktet e pronësisë së tokave të tij. Administratori i Ndroqit u shpreh se e adresoi tek ZVRPP e Tiranës. Në këtë institucion, Kadri Trimi mësoi se toka e tij rezultonte në emër të bashkëfshatarit Ilir Dardha. Deri në këtë pikë, administratori i fshatit thotë se ka dijeni, pasi nuk di çfarë ka ndodhur më parë. Edhe dy banorët që ishin në studio, pohuan se mashtrimi ka ndodhur rreth vitit 2004 dhe jo vitet e fundit, por tani ata kishin mësuar çfarë ka ndodhur.

Xhavit Ceka, administratori i Ndroqit: Z.Kadri është paraqitur te zyra e Njësisë Administrative Ndroq edhe ka kërkuar certifikimin e pronës. I kam dhënë një shkresë siç kemi ne në bazë të ligjit për t’u paraqitur pranë ZVRPP Tiranë. Ka ardhur përgjigjia që kjo pronë quhet e mbyllur. Deri këtu jam unë. Tjetër s’di gjë pastaj. Në momentin që quhet e mbyllur, toka quhet e certifikuar.

Eni Çobani: Si është e mundur që z.Ilir Dardha figuron pronar i pasurisë së z.Kadri Trimi?

Xhavit Ceka, administratori i Ndroqit: Këtë nuk e di. Nuk e kam parasysh.

Eni Çobani: Faleminderit!

Eni Çobani – Ilir Dardhës: Ju s’keni ditur gjë për pasurinë, s’keni ditur gjë për emrin tuaj, për firmën, për shitjen e kësaj pasurie. Jemi sot në vitin 2019, si është e mundur që sot nuk pranoni që keni emrin. Dhe njëkohësisht kemi dhe një administrator që është përfaqësues i shtetit në zonën tuaj, që ju nuk keni vajtur asnjëherë. Kadriu ka vajtur, ka thënë dua të certifikoj tokën. Juve me gjithë shqetësimin e madh që keni pasur me krimin me gjithë këta njerëzit, s’keni shqetësuar askënd nga shteti për t’i thënë që o zotëri kanë përdorur emrin tim. Dhe këtu problemin më të madhe e ke pasur ti, që të kanë përdorur emrin pa dijeninë tënde.

Ilir Dardha: Nuk jam unë shkaktari i kësaj, po më akuzoni kot. Unë nuk mund të përballohem me shkaktarët, shkaktarët janë në institucionet e shtetit.

Ilir Dardha – Kadri Trimit: Unë kam humbur pronat e mia. Kur kam humbur të miat, harroji të tuat!

Publiku i dha të drejtë z. Kadri Trimi. Drejtuesja e seancës së ndërmjetësimit, Eni Çobani ra dakord me të dy që të bëjnë një kërkesë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive, ose Hipoteka, në lidhje me pronësinë e tokës. Më pas, në varësi të përgjigjes që do të vijë nga ZVRPP, nëse situata nuk merr zgjidhje, atëherë do t’i drejtohen Gjykatës së Tiranës.

Eni Çobani: Do bëjmë një kërkesë të re pranë ZVRPP nga e cila ne do të kërkojmë arsyet për çfarë nuk regjistrohet prona juaj, dhe në bazë të përgjigjes që do bëjë ZVRPP nëse ne do ngelemi të pakënaqur, brenda 30 ditëve do t’i drejtohemi Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Dhe me këtë çlironi dhe ju problemin, por heqim edhe emrin e Ilirit. Ju në këto moment, me z.Ilir do të vazhdoni bashkëpunimin apo do jeni siç folët gjatë seancës?

Kadri Trimi: Si macja me miun do të jem me atë. Ka bërë shumë padrejtësira.

Eni Çobani: Na duhet dhe Ilir në krah se e gjithë kjo që bëri ai sot, e bëri për pronën tuaj. Ai tregoi që nuk ka lidhje me pronën.

Ilir Dardha: Z.Kadri bashkohemi bashkë se kemi të njëjtin hall.

Dy banorët e Ndroqit, Kadri Trimi dhe Ilir Dardha shtrënguan duart dhe firmosën bashkë dokumentin me Eni Çobanin për të proceduar me kërkesën pranë ZVRPP dhe më pas drejt Gjykatës së Tiranës. Edhe kjo seancën ndërmjetësimi nga Eni Çobani u mbyll me sukses.

/tvklan.al