Shumë personazhe të famshëm shqiptarë shpesh përfundojnë në vëmendjen e të gjithëve. Lidhje të reja, lindje dhe dashuri janë disa nga ngjarjet më të komentuara për këtë muaj në showbizin shqiptar.

E për të folur për të rejat më të fundit ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, gazetaret Iva Tiço dhe Enxhi Lula, si dhe blogeri Olti Curri.

Një ndër çiftet më të rinj që ka shprehur së fundmi dashurinë për njëri-tjetrin janë Eni Koçi dhe Genc Prelvukaj. Ndonëse mediat rozë kishim kohë që shkruanim për një histori të lindur nëpër koncerte, reperi nga Kosova dhe këngëtarja nga Tirana bënë publik lajmin e fejesës një ditë pas Shën Valentinit.

“Mendohet që këtë vit ndoshta mund të kemi një dasmë. Enin e kemi parë të veshur nuse”

, tha Lula.

“Ato janë çift i bukur dhe i bëjnë publicitet lidhjes së tyre në faza të ndryshme. Mendoj se janë marketingsa shumë të mirë. Nuk ndajnë detaje kur ndodh, por kur vendosin se duan ta bëjnë publike”,

tha Tiço.

Ndërsa një tjetër çift shumë i dashur, që u shfaq para publikut për herë të parë në një intervistë në programin “Rudina”, ishte Klea Huta dhe Elgit Doda. Të dy folën për herë të parë për dashurinë e tyre.

“Elgiti është shumë i lezeçëm dhe ka humor të paparë. Mes të dyve mua më duket sikur ajo që do të marrë vendime dhe që është më serioze është Klea. Më është dukur gjithmonë më e akullt, më e rreptë, më e tërhequr, ndërsa Elgiti është spektakolar”

, tha Curri.

Pas 4 muajsh shkëputje nga skena dhe rrjetet sociale, këngëtarja Elvana Gjata ka zgjedhur që të rikthehet tek publiku pikërisht në festën e Pavarësisë së Kosovës. Ajo performoi në sheshin e Prishtinës në ceremoninë e 11-vjetorit.

“Në daljen e saj për Pavarësinë e Kosovës ajo realisht shkëlqeu. I kishte munguar publikut

”, tha Lula.

“Elvana ka qenë e shoqëruar nga prindërit e saj në këtë koncert, pas kësaj periudhe të pakënaqshme që ka kaluar

”, tha Curri.

“Elvana nuk është nga ata njerëz që ka folur për jetën private, nuk ka bërë kurrë show me të dhe goditja që mori ishte e rëndë. Ishte pak e vënë me shpatulla pas muri, por ia doli të dilte, duke thënë dhe duke mos thënë asgjë”,

tha Tiço.

Atëherë kur nuk pritej, Shpat Kasapi ka pranuar se është në një lidhje dashurie. Këngëtari ka deklaruar se së shpejti do fejohet, por identitetin e vajzës që dashuron e ka mbajtur sekret.

“Shpati ka patur një shkëputje nga muzika, megjithatë është një nga personazhet shumë të dashur. Ai ka deklaruar se është në një lidhje të re me një vajzë nga Prishtina, por nuk ka dhënë detaje për lidhjen e re

”, tha Lula.

“Mua më duket e pabesueshme që Shpati të mbledhë mendjen, megjithatë i uroj gjithë të mirat”,

tha Curri.

Aktorja dhe modelja e njohur Diellza Kolgeci, pak kohë më parë ka lajmëruar se është në një pritje të ëmbël, konkretisht të një vajze.

“Pata një bisedë me Diellzën dhe data e lindjes është parashikuar më 8 Maj. Më tha që kishte shtuar 13 kilogramë. Ajo është ikonë e bukurisë kosovare. Së shpejti ajo do të jetë edhe në ekan”,

tha Curri.

Ndërsa një tjetër lajm i bukur vjen nga çifti e njohur nga Kosova, Elita Rudi dhe Gjiko. Prej dy ditësh ata janë bërë për herë të parë prindër të një djali.

/tvklan.al