Pranga kushëririt 18-vjeçar të viktimës

Një ditë pas vrasjes së 48-vjeçarit Flamur Duçi, policia ka arrestuar një të ri si autorin e dyshuar të krimit. Në pranga është vënë Devis Hoti nga fshati Mborje, i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje, por edhe kushëri me viktimën. Policia e ka shoqëruar 3 herë të riun pas ngjarjes, por e ka lënë të lirë, duke i vënë telefonin në përgjim.

18-vjeçari u ndalua mbrëmjen e së enjtes, pas zbardhjes së bisedave telefonike dhe përgjimeve ambientale me familjarët. Hetuesit kanë dyshime se vrasja e 48-vjeçarit mund të ketë ndodhur pas konfliktit për një vajzë.

Hoti ka mohuar autorësinë e krimit, ndërsa ka dhënë alibi të ndryshme për vendndodhjen e tij në kohën që ka ndodhur vrasja. Edhe prindërit e tij thonë se 18-vjeçari ka qenë në banesë në kohën e ngjarjes dhe se nuk ka pasur konflikte me viktimën.

Nga ana tjetër të afërmit e viktimës, banesa e të cilëve ndodhet pak metra larg asaj të autorit, kërkojnë zbardhjen e së vërtetës.

Flamur Duçi u gjet i pajetë mëngjesin e së enjtes para dyqanit të tij në fshatin Mborje. Ai ishte qëlluar disa herë me thikë dhe i djegur në pjesën e sipërme të trupit me benzinë.

Tv Klan