Po kthehej në shtëpi me makinën e tij Ford Fiesta, kur u përplas me një prej pemëve në anë të rrugës Metteotti, në Argenta (Ferrara). Përplasja nuk i dha asnjë mundësi për të mbijetuar. Viktimë e këtij aksidenti të rëndë mbeti 22-vjeçari me origjinë shqiptare, Gevis Muhaj.

I riu jetonte në San Biagio. Punonte si mekanik në një ndërmarrje në Lavezzola të Ravenna-s. Aksidenti tragjik ndodhi mesditën e së dielës. Gevisi po kthehej në shtëpi. Mbetet ende e paqartë mënyra sesi i riu humbi kontrollin e makinës.

Automjeti i tij përfundoi në anën e kundërt të rrugës duke u përplasur me trungun e një peme. Pjesa e përparme e makinës u shkatërrua plotësisht. Ishin makina të rastit që lëshuan alarmin. Por me mbërritjen e ambulancës, ekipi i emergjencës nuk mundi të bënte asgjë për 22-vjeçarin. Zemra e tij kishte reshtur së rrahuri menjëherë pas goditjes.

Gevis Muhaj (Foto e marrë nga mediat italiane)

Për të nxjerrë trupin e tij të pajetë u desh ndërhyrja e zjarrfikësve.

Mbetet ende për t’u përcaktuar dinamika ekzakte e aksidentit. Hetuesit kanë disa hipoteza, si rrëshqitja e mjetit për shkak të shiut, ose për ndonjë pengesë të papritur në rrugë, pa përjashtuar shpejtësinë apo të ndjerit keq papritur.

Kishim biseduar në telefon rreth gjysmë ore përpara se të ndodhte fatkeqësia… biseduam dhe pastaj u përshëndetën… nuk kisha si ta dija që ajo të ishte hera e fundit“, tregon mes lotëve një prej miqve të tij.

I riu shqiptar la pas një dhimbje të madhe jo vetëm për miqtë e tij, por mbi të gjitha për familjen, prindërit dhe motrën./tvklan.al