Ky është Santjago Malko, 26-vjeçari i cili mbrëmjen e së martës u ekzekutua me armë zjarri në Tiranë. Ish-oficeri i policisë u gjet i vrarë në rrugën “Xhanfize Keko”, në zonën e Porcelanit.

*Foto nga vendi ku ndodhi vrasja

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22:20. Persona ende të paidentifikuar e ekzekutuan 26-vjeçarin brenda automjetit të tij gjatë kohës që ishte në lëvizje.

Më pas autorët dyshohet se u larguan në drejtim të fshatit Ferraj, ku dhe dogjën automjetin e tyre. Brenda kësaj makine, policia mësohet se gjeti dy kallashnikovë.

Autoritetet policore kanë shoqëruar disa persona me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje, autorët dhe motivet e së cilës nuk dihen ende.

Viktima, Santjago Malko

Santjago Malko, ish-punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Policisë së Tiranës, ka qenë më parë i arrestuar. Në Prill të vitit 2016, Santjago Malko u konfliktua me dy vëllezërit Edmond dhe Gentian Lashi në rrugën “Ismail Alla”, disa metra larg Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Konflikti dyshohej të kishte ndodhur për shkak të një borxhi.

Santjago Malko kishte shkuar në pikën e basteve të vëllezërve Lashi dhe u përplas fizikisht me ta. Ish-­polici tentoi të përdorte armën dhe goditi njërin prej vëllezërve me qytën e saj.

Malko ka qenë i pranishëm edhe në lokalin në zonën e ish-Bllokut ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha në vitin 2018./tvklan.al