Xhuliano Hoxha është personi që dyshohet se mori pjesë në vrasjen e Regis Runajt dhe që është përfshirë në atentatin ndaj Emiljano Ramazanit. Gazetarja Aida Topalli raporton se ai ka qenë sëbashku me Euglent Halilin natën kur vranë Runajn.

Hoxha dhe Halili, u lanë në burg pa afat nga Gjykata e Elbasanit këtë të hënë. Policia dhe Prokuroria pretendojnë se ka prova të mjaftueshme që provojnë implikimin e dy të rinjve në dy vrasjet që tronditën Elbasanin, brenda 10 ditësh.

Xhuliano Hoxha bashkë me Euglen Halilin, sipas policisë janë vrasës me pagesë. Të paktën kjo del deri më tani nga hetimet. Po punohet nëse këto persona mbajnë përgjegjësi për krime të tjera të ndodhura në Elbasan vitet e fundit.

Euglen Halili

Xhuliano Hoxha dhe Euglen Halili u arrestuan të shtunën në kuadër të operacionit policor “Shkumbini”. Sipas uniformave blu, ata kanë qenë në shoqërinë e Regis Runajt mbrëmjen e 29 Korrikut.

Pasi konsumuan lëndë narkotike pranë varrezave, ata iu drejtuan qytetit të Elbasanit. Në afërsi të varrezave, Halili ka goditur 1 herë me thikë pas shpine Runajn dhe më pas e ka goditur 26 herë të tjera duke i shkaktuar vdekjen. Gjatë hetimeve dy të rinjve iu është gjetur një motor me njollat e gjakut të viktimës dhe një shumë eurosh.

Por jo vetëm kaq. Dy të rinjtë rezultojnë se janë përfshirë edhe në vrasjen e Emiljano Ramazanit më 20 Korrik, mikut të Regis Runajt. Ata kanë kontrolluar lëvizjet e viktimës. Për të dyja këto punë, të rinjtë janë paguar nga persona të tjerë, për të cilët po punohet që të identifikohen dhe të kapen nga autoritetet./tvklan.al

Gazetare: Aida Topalli