Në 2011-n kishte ndryshuar emrin, ndërsa në qytet e njihnin si Elton Kinezi

Alban Semaku u gjet i ekzekutuar me dy plumba mëngjesin e kësaj të diele pranë lumit Shkumbin, në Peqin. 38-vjeçari ishte anëtar i bandës famëkeqe të Lushnjes dhe kishte një të shkuar të pasur kriminale. Deri në vitin 2011 ai mbante emrin Elton Mermali. Po ashtu, burime për tvklan.al bëjnë të ditur se në Lushnje ai njihej me emrin Elton Kinezi.

Ai ishte i pa martuar dhe nuk shoqërohej me njerëz, ndërsa nuk fshihej apo ruhej fizikisht. Gazetarja e Klan News, Anila Sefa thotë se ai ishte parë në një prej kafenetë e Lushnjes 4 ditë më parë, ndërsa raporton po ashtu se qëkur kishte dalë nga burgu i Peqinit kishte shfaqur probleme të shëndetit mendor.

Kush ishte Alban Semaku: Në vitin 2006, ky shtetas është ekstraduar nga Italia, pasi Gjykata e Lushnjës, me vendimin e datës 28.08.2003 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, ndodhur në qytetin e Lushnjës, kryer në kuadër të organizatës kriminale të Lushnjës.

Më datë 16.03.2015 është arrestuar në flagrancë, pasi në lagjen “Gafurr Muço”, Lushnjë, për motive të dobëta, ka kanosur për jetën, me armë zjarri, shtetasin M. T. Gjatë kontrollit personal të ushtruar ndaj shtetasit Alban Semaku, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë e tipit “Zastava”, një krehër pistolete me 6 fishekë dhe dy doza heroinë.

Me vendimin e datës 16.11.2015 të Gjykatës së Rrethit Lushnjë është dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe “Kanosja” dhe është liruar nga burgu më datë 06.05.2021, pasi ka vuajtur dënimin në  I.E.V.P Peqin./tvklan.al