Një konflikt, pas së cilit sipas policisë qëndrojnë motivet e dobëta, u bë shkak për plagosjen e një 27-vjeçari në një zyrë elektorale të Partisë Demokratike, në qytetin e Kavajës. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00 të kësaj të hëne.

I plagosur nga kjo ngjarje mbeti 27-vjeçari Bledar Okshtuni. Ai mori një plagë në këmbë dhe ndodhet në spitalin e Durrësit, nën kujdesin e mjekëve.

Sa i përket autorit të kësaj ngjarjeje, i cili është shpallur në kërkim, tvklan.al mëson se ai është Ndriçim Jonuzi alias Ndriçim Tahiri, pasi ka ndërruar mbiemër. Ky person është me precedent të theksuar kriminalë në fushën e krimit kundër jetës në një vend të BE-së.

Jonuzi rezulton i arrestuar nga policia në Kavajë më 13 Mars të vitit 2014, pasi ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane për vrasje me dashje.

“Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma më date 29.05.2007 me vendim të Gjykatës së Torinos, Itali dhe është dënuar me 8 vite burgim për vrasje pa dashje”, thuhej në njoftimin e vitit 2014 të policisë së Tiranës.

“Sot rreth orës 19:00, në lagjen nr.4, në Kavajë, shtetasi N. J., dyshohet se si pasojë e një konflikti  për motive të dobëta, ka hyrë në ambientet e brendshme të një zyre elektorale të një subjekti politik dhe ka plagosur me armë zjarri pistoletë në këmbë shtetasin B. O., 27 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Durrësit, nën kujdesin e mjekëve.  Menjëherë forca të shumta Policie kanë shkuar në vendngjarje dhe vijon krehja e zonës si edhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të Qytetit për kapjen e autorit.  Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën  për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha policia e Tiranës në një njoftim për mediat.

Drejt vendit të ngjarjes shkoi kreu i PD, Lulzim Basha./tvklan.al