Aldo Gjini, 31-vjeç, është autori i dyshuar i plagosjes së dyfishtë të ndodhur mbrëmjen e kësaj të shtune në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:30 në një lokal në rrugën “Todi Shkurti” të kryeqytetit.

Gjini dhe dy të plagosurit, Altin Gjoka, 32 vjeç dhe Jetmir Marashi, 28 vjeç, dyshohet se u konfliktuan pas një incidenti që kishin pasur me automjetet e tyre.

Ata u përplasën fillimisht verbalisht dhe më pas autori i dyshuar hapi zjarr duke i lënë dy të rinjtë të plagosur.

Gjini u largua menjëherë pas ngjarjes dhe aktualisht policia vijon punën për kapjen e tij. Ndërkohë, dy të plagosurit ndodhen nën kujdesin e mjekëve në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Por kush është Aldo Gjini?

31-vjeçari rezulton person në kërkim nga Europol. Kjo pasi më 24 Nëntor të 2020, ai akuzohet si autor i një tentativë vrasjeje, ngjarje e ndodhur në Remich të Luksemburgut. Ndaj Gjinit ka një urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar më 11 Shkurt 2021 dhe që prej asaj kohe ai rezulton në kërkim.

Ndërsa në vitin 2016, Gjini u arrestua së bashku me vëllain e tij, në Italinë fqinje si pjesë e një bande që shpërndanin drogë në Ascoli. Banda akuzohej se furnizonin me kokainë e marijuanë rrethinat e këtij qyteti. /tvklan.al