Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të premte në Tiranë ku një person ka humbur jetën ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur. Burime paraprake për tvklan.al thanë se një person hapi zjarr dhe vrau ish-dhëndrin e tij, ndërsa plagosi avokatin e viktimës.

Avokati i plagosur është identifikuar dhe bëhet fjalë për Adriatik Camën. Cama ka qenë prokuror dhe aktualisht ushtronte profesionin e avokatit. Ai është aktualisht avokati mbrojtës i efektivit të forcave “Shqiponja”, Nevaldo Hajdaraj, i cili më 8 Dhjetor të vitit të kaluar vrau Klodian Rashën.

Pamje nga vendi i ngjarjes së rëndë të ndodhur këtë të premte

Adriatik Cama u shkarkua si prokuror i Prokurorisë së Tiranës nga KPK-ja më 12 Korrik të vitit 2018. Sipas dosjes në Vetting, një raport nga DSIK ngrinte dyshime për përfshirjen e Camës në një aferë korruptive në vitin 2005, kohë kur ai drejtonte Prokurorinë e Lushnjes. Sipas KPK, bashkë me një prokuror tjetër, Cama kishte marrë para nga familjarët e një personi të proceduar për “kontrabandë” për të pushuar hetimet ndaj tij. Në raport thuhej se Cama kishte zëvendësuar prokurorin e çështjes me një tjetër, i cili në 2 Qershor 2005 kishte pushuar çështjen.

Në foto: Lokali ku ndodhi ekzekutimi

Sipas trupës së KPK, Adriatik Cama ishte person i mundshëm për t’u vënë nën presionin e personave të inkriminuar, sepse kishte pasur kontakte të papërshtatshme duke shkëmbyer dhurata apo favore me persona të përshirë në krimin e organizuar. Ky pretendim u kundërshtua me forcë nga ana e prokurorit Cama. Edhe kontrolli i pasurisë kishte vërejtur disa probleme në pasuritë e prokurorit ku KPK vlerësoi se ka mungesë burimesh të ligjshme për një përqindje të tyre.

Cama ka qenë prokuror edhe në çështjen e atentatit ndaj aktorit Mishel Prela Manoku, ngjarje e ndodhur në Korrik të vitit 2017. Një nga çështjet e bujshme që ka përfaqësuar si ish-prokuror Cama ka qenë edhe procesi ndaj ish-deputetit Mark Frroku./tvklan.al