Personi në foto është Musta Neri 34 vjeç, një shqiptar që aktualisht kërkohet nga autoritetet greke. Ai është person me precedent të theksuar kriminal dhe ka qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale në Greqi.

Së fundmi, emri i tij është lakuar sërish. Dy ditë më parë, ka qenë ministri grek i Mbrojtjes Civile, Michalis Chrysochoidis, i cili ka përmendur në Parlament emrin e 34-vjeçarit.

“Dhe për ta përmbyllur zonja dhe zotërinj të SYRIZA. A jeni akoma krenarë për ligjin Paraskevopoulos? Është një kriminel shqiptar, dhe nuk e them “shqiptar” në kuptimin racist, por për të përcaktuar se kujt po i referohem. Pra, është një kriminel i cili në vitin 2015 u dënua me më pak se 15 vjet burg. Ky kriminel hyri në burg në Shkurt 2015 dhe u lirua më 12 Korrik 2019. 20 ditë më vonë ai kryen një grabitje dhe vrasje të mbetur në tentativë. Aktualisht ai kërkohet për vrasje në tentativë dhe grabitje”, tha ministri grek duke iu referuar ligjit Paraskevopoulos që e konsiderojnë një ligj të gabuar, nga i cili kanë përfituar 117 kriminelë të rrezikshëm në Greqi.

Por çfarë është ligji Paraskevopoulos? Ky ligj u votua nga qeveria SYRIZA gjatë kohës kur Nikos Paraskevopulos ishte ministër i Drejtësisë. Sipas parashikimeve të këtij ligji, të burgosurit që janë të dënuar me më shumë se 10 vjet burg kanë të drejtë të kërkojnë lirimin nëse vuajnë 1/3 e dënimit, ata që janë dënuar deri në 10 vjet kanë të drejtë të kërkojnë lirimin nëse kanë vuajtur ½ e dënimit dhe ata që kanë dënim deri në 3 vjet mund të kërkojnë lirimin nëse kanë kryer 1/10 e dënimit të tyre.

Ndërkohë, shqiptari Musta Neri ishte dënuar në vitin 2015 me 14.5 vite burgim, nga të cilat vuajti vetëm 4 vite e 5 muaj dhe u lirua pikërisht falë ligjit Paraskevopoulos. Por sapo doli nga qelia, 34-vjeçari shqiptar u përfshi në grabitjen e një banke në qytetin e Pargas, sikurse duket në foton më poshtë.

Në 8 Shkurt 2020, policia greke ndërmori një aksion për arrestimin e tij dhe të 3 shqiptarëve të tjerë të rrezikshëm që ishin në kërkim. Këta të fundit qëlluan me armë policinë. Nga shkëmbimi i zjarrit, dy prej tyre u plagosën nga policia ndërsa i treti u arrestua. Kurse Musta Neri nuk u arrit që të kapej dhe sot e kësaj dite vijon të jetë ende në kërkim. Ndaj tij ka dy urdhër-arreste kombëtare në Greqi dhe një urdhër ndërkombëtar. /tvklan.al