Martin Bardhi, 59 vjeç, humbi jetën ditën e sotme si pasojë e të shtënave me armë. Ai u qëllua pranë një lokali në qendër të Rrëshenit.


Viktima kishte pak kohë që ishte liruar nga burgu.

Martin Bardhi u arrestua në muajin Mars të këtij viti si një nga autorët e të shtënave me armë në drejtim të makinës së Saimir Reçit në Rrëshen (Lexo më shumë).

Kjo ngjarje ndodhi më 26 Mars dhe të përfshirë ishin edhe djali i Martin Bardhit, Erind Bardhi dhe një 28-vjeçar tjetër me lidhje gjaku me familjen Bardhi.

Shkak për këtë ngjarje të rëndë u bë një sherr për vendin e parkimit mes Erind Bardhit dhe Saimir Reçit.

Makina e Saimir Reçit pasi u qëllua me armë dhe më pas u përplas me bordurën (26 Mars 2023)

Erind Bardhi ka shkuar më pas në banesën e tij së bashku me të atin, viktimën e ditës së sotme, ku ka marrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar mbi  makinën e blinduar të Reçit në momentin që ai po largohej.

Reçi si pasojë e të shtënave humbi kontrollin e mjetit dhe u përplas me bordurën e rrugës, por nuk u lëndua (Lexo më shumë).

Për këtë ngjarje, Erind Bardhi dhe kushëriri i tij 28-vjeçar u shpallën në kërkim për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërsa Saimir Reçi është nipi i Kastriot Reçit, i ekzekutuar në qendër të Rrëshenit në vitin 2020 (Lexo më shumë).

Kastriot Reçi, viktima e atentatit në vitin 2020 në Rrëshen

Sa i përket ngjarjes së sotme, rrethanat e saj janë momentalisht të paqarta. Burime paraprake për Klan News bëjnë të ditur se një person ende i paidentifikuar, ka hapur zjarr në drejtim të Bardhit, duke e lënë të vdekur.

Po ashtu, si pasojë kanë mbetur të plagosur edhe 3 qytetarë që ishin në afërsi të vendit të ngjarjes kur ndodhi krimi (Lexo më shumë).

Policia ka njoftuar se ka ngritur disa pika kontrolli me qëllim kapjen e autorit/ëve (Lexo më shumë).

“Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Janë ngritur pika kontrolli në çdo aks rrugor, si dhe vijon intensivisht krehja e zonës. Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për fiksimin e çdo prove që do të bëjë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njoftoi policia./tvklan.al