Itali | Një avion privat ra mbi një ndërtesë këtë të diel në San Donato Milanese të Milanos. Të gjithë personat që ndodheshin në bord humbën jetën. Piloti dhe ndihmësi i tij, 5 persona të rritur dhe një fëmijë. Sipas mediave italiane, të 8 viktimat janë të huaj.

Avioni pati një përplasje të fuqishme në tarracën e ndërtesës. Ai ishte nisur nga Linate dhe udhëtonte drejt Olbia të Sardenjës. Avioni ra mbi një ndërtesë bosh, e cila ishte nën rikonstruksion dhe që shërbente për zyra dhe një parking për autobusë. Banorët e zonës dëgjuan fillimisht një zhurmë të fortë e më pas një shpërthim, si pasojë e përplasjes. Flakët përfshinë menjëherë ndërtesën në dy kate të saj.

Por kush janë viktimat? Piloti i avionit ishte 68-vjeçari rumun Dan Petrescu, i cili ishte po ashtu pronar i mjetit të blerë në 2015-n. Ai konsiderohej si një prej personave më të pasur në Rumani, pronar supermarketesh dhe galerish tregtare (Metro dhe Real). 68-vjeçari kishte dy shtetësi, rumune dhe gjermane. Partner i Ion Tiriac, asetet e së cilës përllogariten të jenë rreth 3 miliardë euro, Petrescu ishte shpërngulur në Gjermani për t’i shpëtuar regjimit të Nicolae Ceausescu, për t’u rikthyer në vendlindje pas vitit 1989.

Po ashtu, në mesin e viktimave është edhe bashkëshortja e tij 65-vjeçare, e lindur në Rumani dhe me shtetësi franceze, si dhe djali i tyre 30-vjeçar, Dan Stefan Petrescu, i lindur në Mynih, gjithashtu me dy shtetësi. Nëna e miliarderit ndodhej në Olbia, në vilën e familjes, duke pritur djalin dhe nipin për të kaluar pushimet në Sardenjë.

Sipas mediave rumune, djali 30-vjeçar i Petrescu kishte shkuar në Itali bashkë me disa miq, djalin e tij 1 vjeçar dhe gjyshen. Në mesin e viktimave dyshohet se është edhe djali i tij i mitur.

Shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë momentalisht janë të paqarta. Dëshmitarë thanë se kishin parë një prej motorëve të avionit në flakë dhe se ai kishte rënë pikiatë mbi tarracë./tvklan.al