Zyra e Zonjës së Parë të SHBA, Melania Trump ka ndërmarrë një hap të paprecedentë, duke kërkuar pushimin nga puna të një prej punonjësve të stafit të bashkëshortit të saj, Donald Trump.

Drejtoresha e Komunikimit e Presidentit Trump, Stephanie Grisham doli në një deklaratë të jashtëzakonshme për shtyp, ku kërkoi heqjen nga puna të Mira Ricardel, nga pozicioni i zëvendëskëshilltares kombëtare për sigurinë.

Teksa pushimet e papritura nga puna nuk janë diçka e pazakontë në administratën e Trump, zhvillimi i fundit ngre një pyetje interesante mbi autoritetin e vërtetë të Zonjës së Parë.

Por kush është Mira Ricardel?

Ajo ka qenë zëvendëspresidente e Boeing, kompanisë që punoi me skuadrën presidenciale të tranzicionit, si këshilltare për Departamentin e Mbrojtjes. Përpara se të emërohej zëvendëskëshilltare për sigurinë nga John Bolton, në Prill të këtij viti, Ricardel ishte nënsekretare e tregtisë për eksportet në Shtëpinë e Bardhë. E lindur dhe e rritur në Pasadena, California, ajo është vajza e dy emigrantëve boshnjakë, që shkuan në SHBA në vitin 1956.

Përse kërkon Melania Trump pushimin e saj nga puna?

Ndonëse vetëm 7 muaj në pozicionin aktual, Ricardel ka krijuar gjerësisht reputacionin e një personi këmbëngulës dhe të ashpër me ndihmësit dhe është akuzuar për komplot kundër armiqve të saj duke rrjedhur informacione delikate në shtyp.

Përplasja e saj me Melania Trump thuhet se nisi në turin diplomatik të Zonjës së Parë në Afrikë, gjatë muajit Tetor, që sipas disa burimeve për Associated Press,

“nuk shkoi mirë”

.

Sipas asaj që shkruan The Independent, zonja Trump mendohet se kur u kthye në Washington u ankua tek bashkëshorti i saj për mënyrën sesi e kishte trajtuar Ricardel dhe i kërkoi presidentit që ta hiqte nga posti që mbante, diçka aspak e vështirë për Trump, i cili është gjithnjë i lumtur për të pushuar njerëz nga puna.

Sa fuqi ka Zonja e Parë tek stafi i Shtëpisë së Bardhë?

Teksa zonjat e para historikisht i kanë bërë presion bashkëshortëve të tyre për çështje biznesi, sigurisht në prapaskenë, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë publikisht, nëpërmjet një deklarate për shtyp. Përgjegjësitë e një zonje të parë janë të lirshme dhe sesi ato e bëjnë këtë rol varet shumë nga personaliteti i tyre.

Si Zonjë e Parë, Melania Trump ka mbajtur gjerësisht një figurë të rezervuar, duke u kujdesur që të mos jetë në qendër të vëmendjes dhe duke promovuar axhendën e saj kundër bulizmit.

Duke qenë një personazh që ka krijuar imazhin e një njeriu me karakter të fortë dhe që ia del që zëri i saj të dëgjohet, kërkesa e zonjës Trump për pushimin nga puna të Mira Ricardel tregon se përplasja mes tyre ka qenë e ashpër, sidomos nëse merret parasysh që kjo kërkesë do të sjellë mjaft reagime.

//tvklan.al