Teksa rastet e koronavirusit rriten në Kinë dhe nëpër botë, gjuetia është për të identifikuar “pacientin zero”. Por identifikimi i një personi si shkaktar i një epidemie mund të bëjë më shumë keq, apo mirë?

Autoritetet kineze dhe ekspertët nuk janë të qartë për origjinën e përhapjes së koronavirusit. I njohur gjithashtu si një rast indeksi, pacienti zero është një term që përdoret për të përshkruar qenien e parë njerëzore të infektuar nga një sëmundje virale apo bakteriale në një epidemi.

Avancimet në analizën genetike tani bëjnë të mundur që të gjurmohet mbrapsht prejardhja e një virusi nëpërmjet personave të infektuar. E kombinuar me studimet epidemiologjike, shkencëtarët mund të identifikojnë individët të cilët ishin të parët që përhapën një sëmundje, duke shkaktuar kështu një epidemi.

Identifikimi i këtyre njerëzve mund të ndihmojë në dhënien përgjigje pyetjeve si, si, kur dhe përse nisi. Këto mund të ndihmojnë në parandalimin e infektimit të më shumë njerëzve tani, apo në të ardhmen.

A e dimë se kush është pacienti zero në përhapjen e koronavirusit Covid-19, që nisi në Kinë?

Përgjigja e shkurtër është: Jo.

Fillimisht autoritetet kineze raportuan se rasti i parë i koronavirusit ishte më 31 Dhjetor dhe shumë prej rasteve të parë të infeksioneve të ngjashme me pneumoninë u lidhën menjëherë me ushqimin e detit dhe tregun e kafshëve në Wuhan, në provincën e Hubei-t.

Rajoni është epiqendra e kësaj epidemie, me gati 82 % të mbi 75 mijë rasteve të regjistruar në Kinë dhe në botë deri më tani.

Megjithatë, në një studim të kryer nga ekspertët kinezë, thuhet se personi i parë që u diagnostikua me Covid-19 ishte më 1 Dhjetor 2019, (shumë më herët) dhe se ai person nuk kishte pasur kontakt me tregun e ushqimeve të detit në Huanan.

Për BBC, Wu Wejuan, një prej autoreve të këtij studimi, tha se pacienti ishte një i moshuar, i cili vuante nga sëmundja e Alzheimer.

Ai jetonte rreth 5 stacione larg me autobus nga ky treg dhe duke qenë se ishte i sëmurë, thuajse nuk dilte fare nga shtëpia.

Ekspertja tha gjithashtu se ditët që pasuan simptoma shfaqën 3 persona të tjerë, të cilët gjithashtu nuk kishin qenë të ekspozuar në Huanan.

Megjithatë, hulumtuesit zbuluan se 27 persona nga 41 pacientë të cilët ishin shtruar në spital me shenjat e para të epidemisë, kishin qenë të ekspozuar nga tregu.

Hipotezat se epidemia nisi në këtë treg dhe se mund të jetë transmetuar nga një kafshë e gjallë tek njeriu përpara se të përhapej nga një person tek tjetri konsiderohet deri më tani si mundësia më e madhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

A mundet vërtetë që një njeriu të shkaktojë një epidemi masive?

Shpërthimi i epidemisë së Ebolës nga 2014 deri në 2016-n në Afrikën Perëndimore ishte më i madhi që prej zbulimit të këtij virusi në 1976. Vrau 11 mijë persona dhe infektoi mbi 28 mijë të tjerë.

Epidemia zgjati më shumë se 2 vjet dhe u gjet në 10 shtete, kryesisht në Afrikë, por pati gjithashtu raste në SHBA, Spanjë, Mbretëri e Bashkuar dhe Itali.

Në këtë rast, shkencëtarët konkluduan se epidemia e virusit të ri të Ebolës nisi me një person të vetëm, një 2 vjeçar nga Guinea, i cili mund të ishte nfektuar duke luajtur në një shtëpi mbi pemë, e kolonizuar nga lakuriqët e natës.

Termi “pacienti zero” mbart me vete shumë kuptime dhe stigma. Shumë ekspertë të shëndetit janë kundër identifikimit të rastit të parë të dokumentuar të një epidemie, nga frika se mund të çojë në dezinformim rreth sëmundjes, apo edhe viktimizimin e personit.

Një shembull i famshëm është ai i një burri i cili u identifikua gabimisht si “pacienti zero” në epideminë e Aids.

Geatan Dugas, një stjuard homoseksual kanadez, ishte një prej pacientëve të parë në histori që u etiketua si djallëzor, pasi u fajësua për përhapjen e HIV-it në SHBA në ’80.

Por 3 dekada më vonë, shkencëtarët zbuluan se ai nuk mund të ishte rasti i parë, pasi një studim i kryer në 2016-n, zbuloi se virusi ishte zhvendosur nga Karaibet në Amerikë në fillimet e viteve ’70.

Ishte pikërisht gjatë epidemisë së HIV-it që u krijua aksidentalisht termi pacienti zero./tvklan.al