Hekuran Hoxha, i arrestuar të premten në Shijak si pjesë e operacionit Volvo-4, ishte personi që dyshohet se luante rolin kryesor në trafikimit të heroinës që prodhohej në laboratorin e Hasit.

Burime nga grupi hetimor thonë se dyshohet se Hoxha drejtonte trafikun e drogës nga Shqipëria drejt vendeve të tjera të Europës. Sipas hetimeve ka rezultuar se ai ishte një nga krerët e grupit të Avdylajve, të goditur në Shijak në Tetor të vitit të kaluar. 48-vjeçari është i afërm me biznesmenin Admir Hoxha, personin që ideoi dhe financoi ngritjen e laboratorit të prodhimit të heroinës në Brenog të Hasit. Biznesmeni vazhdon ende të jetë në kërkim nga policia, së bashku me dy shtetas turq dhe një kosovar që punonin për prodhimin e heroinës në laborator.

Hoxha akuzohet për pjesëmarrje në grup kriminal, trafik droge, pastrim parash, si dhe krijimi i grupit të strukturuar kriminal. Hekuran Hoxha është arrestuar edhe në vitin 2009, si i dyshuar për trafikimin e rreth 400 kilogramë heroinë në Itali, si dhe dy vjet më vonë për trafik heroine drejt Turqisë.

Mbrëmjen e 21 Tetorit 2018, Policia e Shtetit në kuadër të operacionit të koduar Volvo-4 shkatërroi 4 grupe kriminale në të gjithë vendin që bashkëpunonin me njëri-tjetrin për shitjen dhe trafikun e heroinës.

Tv Klan