Prej 10 ditësh, studentët e universiteteve të Tiranës dhe të rretheve protestojnë dhe kërkojnë plotësimin pa asnjë negociatë të 8 pikave, që lidhen me përmirësimin e cilësisë së Arsimit të Lartë në Shqipëri.

Revolta e tyre, e konsideruar si një nga protestat më të mëdha jo politike gjatë viteve të fundit, ka vënë në një zë mijëra studentë dhe i ka bërë të gjithë të kthejnë kokat nga ata.

Në pjesën e parë të emisionit “Zonë e Lirë” ishte pikërisht protesta, tema e diskutimit. Arlind Qorri dhe Rigels Xhemollari ishin të ftuar në emision, për të folur pikërisht për këtë protestë. Të pyetur nëse pas protestës ka një “regjisor”, të dy të ftuarit thanë se protesta është spontane.

Arian Çani: Kush është regjisori i protestës?

Arlind Qorri: Unë anoj nga spontaniteti, por edhe sikur të kishte patur regjisor, ai ka dalë pa punë. Sepse masivitetin e papërfytyrueshëm nuk e tërheq dot për hundësh askush, pavarësisht se mund t’i fusin duart të gjithë. Kjo tregon se çfarëdolloj regjisori hipotetik apo imagjinar të ketë qenë, ka dalë pa punë dhe po ha thonjtë nga inati. Kjo protestë është nga dita e parë e studentëve. Është për të mirën e tyre.

Arian Çani: Ti e beson këtë?

Arlind Qorri: Po, po e besoj. Sepse kam qenë çdo ditë aty dhe e di se çfarë ndodh. Pavarësisht tentativave të lloj lloj grupeve, që kërkojnë t’i çojnë këtu apo atje, nuk ia ka dalë.

Arian Çani: Në çdo revolucion, 4-5 veta e kanë ditur të vërtetën, pjesa tjetër ka qenë pjesë naive që ka shkuar pas.

Arlind Qorri: Çdo revolucion ka shkaqe madhore. Kur revolucioni pëllcet nuk e parashikon askush, ndryshon situata dhe pastaj vijnë ata që duan ta drejtojnë.

Arian Çani: Ti mendon se SMS-ja nga Financa e Arkitekturës një ditë të bukur Dhjetori, që duhet të paguani paratë për përsëritje provimesh, është komplet rastësore?

Arlind Qorri: Po i mar të dyja alternativat: Po është rastësi jemi këtu ku jemi, nëse është një dorë, ka dalë jashtë kontrollit që ditën e parë. Unë mendoj se është spontane dhe rastësore.

Arian Çani: Këtë pyetje e bëj sepse jam gazetar i vjetër dhe kam disa ekperienca dhe kam qenë edhe vetë dëshmitar. Në ’97 unë kam qenë dëshmitar, kush e vuri fitilin? Ishin amerikanët…

Arian Çani: Kush është regjisori i protestës sipas teje Rigels?

Rigels Xhemollari: Mendoj se kjo protestë është pa kokë.

/tvklan.al