Historia e letërsisë shqiptare njeh shumë shembuj të njerëzve të penës që te lexuesi janë prezantuar me një identitet tjetër letrar.

Kujtojmë Mitrush Kutelin, Migjenin, Lasgushin, Gjergj Fishtën, Faik Konicën e shumë të tjerë, që për arsye të kohës, ishin edhe të shtrënguar të përdornin pseudonimet. Këtë qasje e gjejmë edhe sot, forma më e shpeshtë është ajo e identifikimit të qëndrimeve të shkrimtarit me personazhin kryesor të librit, ndërsa më pak e zakonshmja që vetë autorit të mos identifikohet me emrin e vërtetë.

Tom Kuka është njëri prej tyre, i cili vjen te lexuesi me librin e tij të parë dhe siç shkruan në hyrje vendosi të syrgjynosë shkrimtarin, që të gjykohet teksti letrar.

Tom Kuka është personazhi, pas të cilit fshihet autori, përgjatë 25 viteve të shkrimtarisë së tij. Botimin e “Hide mbi kalldrëm”, e quan guxim, pasi në komunizëm nuk i kaloi dot muret e censurës, por edhe kur ndërruan kushtet, refuzimi i fletoreve letrare të kohës e kishin lënë shijen e hidhur të mos-botimit.

“Hide mbi kalldrëm”, nën sfondin e një rrugice dhe shtëpie karakteristike tiranase është historia që gëlonte në kryeqytetin e viteve 30, në kohën e mbretit Zog./ TV KLAN