“Kush i formuloi 8 kërkesat e studentëve?”, kjo ishte një nga pyetjet “ngacmuese” që gazetari Arian Çani iu drejtoi të ftuarve të tij, Arlind Qorri dhe Rigels Xhemollari gjatë emisionit “Zonë e Lirë”.

Asnjë prej tyre nuk kishte një përgjigje konkrete lidhur me pyetjen, por sipas tyre të gjithë studentët bien dakord me këto pika.

Arian Çani: Si u bë e mundur të formulohen 8 kërkesa nga 20 mijë studentë?

Arlind Qorri: Nuk ka patur një Asamble të 20 mijë studentëve. Unë kam qenë në mes të turmës dhe në një moment të caktuar dëgjova që disa persona kishin shkruar me shkrim dore disa kërkesa dhe i kishin çuar në Ministri. Se kush janë unë nuk e di. Mund të jenë studentë, pedagogë, kush dreqin e di… Lëvizja për Universitetin nuk ka qenë, e sigurt.

Arian Çani: Rigels, se më vijnë mesazhe, si u bë i mundur formulimi i 8 kërkesave?

Rigels Xhemollari: Të 8 pikat lidhen me një emërues të përbashkët, me xhepin e studentit.

Arian Çani: Kush i bëri?

Rigels Xhemollari: Për mua ka rëndësi kush i aprovoi dhe që të gjithë studentët janë dakord.

Arian Çani: Kush i formuloi?

Rigels Xhemollari: Studentët në turmë. Në fillim ishte një kërkesë dhe më pas u shtuan.

Kërkesat e studentëve:

1-Rritja e buxhetit me 5 % e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

3-Rritja nga 10 % në 50 %  e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillet e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)

7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve.

/tvklan.al