Xhulion Hoxha, 29 vjeç dhe Euglen Halili, 23 vjeç janë dy të rinjtë, të cilët janë përfshirë në dy ngjarje kriminale të ndodhura në muajin Korrik në qytetin e Elbasanit.

Ata kanë qenë në shoqërinë e Regis Runajt mbrëmjen e 29 Korrikut para se ta vrisnin me thikë, ndërkohë që janë përfshirë edhe në vrasjen e Emiljano Ramazanit.

Arrestimi i Hoxhës dhe Halilit u bë pasi sipas policisë është dokumentuar me prova shkencore vrasja e Runajt.

Viktimat Regis Runaj dhe Emiljano Ramazani

Në një deklaratë ditën e sotme, Policia e Shtetit njoftoi se pasi kanë konsumuar drogë të tre sëbashku pranë një parku tek varrezat e qytetit dhe pasi u nisën për në Elbasan, Halili ka goditur me thikë nga mbrapa Runajn.

Më pas, i riu i ka dhënë 26 goditje të tjera shokut të tij duke e lënë të vdekur në vend. Në një motor të përdorur nga ta janë gjetur njolla gjaku të viktimës.

Por dy të rinjtë janë të përfshirë edhe në vrasjen e Emiljano Ramazanit, i cili ishte mik me Regis Runajt. Sipas autoriteteve, Hoxha dhe Halili kanë kontrolluar lëvizjet e tij përpara se t’i bëhej atentati më 20 Korrik.

Për këto ngjarje, dy të rinjtë janë paguar nga disa persona të tjerë. Këta të fundit mbeten ende të paidentifikuar ndërsa policia thotë se po vijon punën për zbulimin e tyre.

Më herët në lidhje me vrasjen e Ramazanit janë arrestuar Albert Manehasa 64 vjeç dhe Selim Manehasa, 37 vjeç. Emiljano Ramazani dyshohet se u vra për shkak të konflikteve për drogën./tvklan.al