Policia e Shtetit u ka shpërndarë mediave fotot e tre personave të kërkuar që janë dënuar me nga 25 vite burg për vrasje.

Në listën e uniformave blu është Pjetër Pacani. Në datën 18 Janar 2011, pranë një karburanti në autostradën Lezhë-Tiranë, Pacani ka vrarë me armë zjarri shtetasit N. Z. dhe V. Gj.

Gjykata e Rrethit Tiranë e ka dënuar me 25 vite burg, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Objekt i njësisë së kërkimit është edhe Jak Gjini. Në datën 30 Gusht 2003, në fshatin Tresh, Lezhë, Gjini ka vrarë me armë zjarri për motive të dobëta, P. B. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë e ka dënuar me 25 vite burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Në kërkim është edhe Besmir Xhebexhia. Në datën 22 Korrik 2000, Xhebexhia ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, vëllezërit A. N. dhe R. N. dhe ka plagosur rëndë duke i këputur krahun e djathtë, shtetasin H. N.

Besmir Xhebexhia është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës, me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”./tvklan.al