Operacioni Forca e Ligjit kërkon nga 4 persona me precedent kriminal që të deklarojnë pasurinë e tyre.

OFL u ka dërguar formularin Endrit Zelës nga Tirana i dënuar për shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie të kryer në bashkëpunim.

Personi i dytë është Genc Ferhati, edhe ky i dënuar për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.

Igli Memaj është subjekti i radhës për të deklaruar pasurinë, ndaj të cilit Gjykata e Vlorës ka caktuar arrest në burg për vrasje në rrethana cilësuese.

Nelson Hysa, ndaj të cilit ka arrest në burg nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special”, thuhet në njoftimin e OFL. /tvklan.al