9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë publikë, mes tyre edhe të Ministrisë së Brendshme janë vënë në pranga pas një operacioni anti-korrupsion të kryer nga SPAK. Mësohet se ditën e sotme, policia ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që është marrë për të gjithë këta persona. Bëhet fjalë për 8 urdhra për arrest me burg dhe 1 për arrest shtëpie për shkelje të barazisë në tendera.

Në arrest me burg është lënë konkretisht Edlira Naqellari, Kreshnik Bejkaj, Ani Omuri, Klevis Hasani, Flutura Çekrezi, Fatmir Demnerin, Gëzim Mingaj dhe Mariglen Buzali. Për Anisa Bogdanin është vendosur arrest shtëpie.

“Gjatë hetimit janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik të bërë nga anëtarët e njësisë së Prokurimit, shtetasit Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleivis Hasani dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Kreshnik Bejkaj, Farmit Demneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me titullarin e Organit Qendror Blerës, Drejtor i Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara ku si pasojë kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi”, thuhet në një njoftim.

SPAK thotë se hetimet do të vazhdojnë për të sqaruar rrethanat dhe faktet që lidhet me provueshmërinë e plotë të veprës penale që është kryer. Edlira Naqellari ka qenë drejtoreshë pranë Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara dhe vetëm 8 ditë më parë është shkarkuar nga posti nga ministri Bledi Çuçi. Këtë post Naqellari e mbante prej 3 vitesh.

Hetimet janë kryer pas padisë së bërë nga dy deputetët e opozzitës, Myslim Murrizi dhe Halit Valteri. Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, raportoi se ndër pretendimet e tyre ishin fakti se 1 kapele polici kushtonte 350 Euro dhe se kompania e zgjedhur fituese nuk kishte aktivitet në fushën e rrobaqepësisë, por të gërmimeve. Gazetari u shpreh se operacioni është kryer gjatë natës me qëllim që të mos dekonspirohej./tvklan.al